Sport

Ancelotti “bashkëndjen” me Wengerin

Trajneri i Bayern Munichut, Carlo Ancelotti, thotë se i dhimbset trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, për kritikat që po i bëhen atij.

Kontrata aktuale e francezit skadon në fund të sezonit dhe pritet që ai të vendosë vetë për të ardhmen te “Topçinjtë”. Një pjesë e konsiderueshme e tifozëve të klubit muajve të fundit janë shprehur kundër qëndrimit të tij në klub, ndërsa shpërthyen pas humbjes 5 me 1 nga Bayerni në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

“Mendoj se duhet të jetojmë me kritikat për punën tonë. Wenger është trajner me eksperiencë të madhe dhe me më shumë eksperiencë se të tjerët andaj jam i sigurt se ai do të dijë si të reagojë dhe të menaxhojë situatën. Bashkëndjej me të si trajner dhe si njeri. Kam marrëdhënie të mira me të dhe sigurisht shumë respekt sepse jo të gjithë trajnerët mund të bëjnë atë që ka bërë ai aty”, ka thënë para ndeshjes së kthimit strategu i njohur italian.