Sport

Daja thotë se fitorja ndaj Dukagjinit ia jep qetësinë Ballkanit

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është ndarë i kënaqur me fitoren e ekipit të tij ndaj Dukagjinit.

Ballkani, të hënën në shtëpi, e mposhti Dukagjinin me rezultatin 3:1 në duelin e xhiros së 14-të të elitës së futbollit kosovar.

Pas ndeshjes, trajneri Daja insistoi se është shumë e rëndësishme për Ballkanin që të vazhdojë me fitore në kampionat dhe shtoi se tri pikët e fituara me Dukagjinin, i japin qetësinë ekipit të tij për pjesën tjetër të edicionit.

“Ne vazhdojmë me fitore dhe kjo është shumë e rëndësishme për neve, pasi po luajmë edhe në Evropë. Grupi nuk është më me 12 apo 13 lojtarë, por 16 e më tepër që janë të gatshëm për të treguar veten si në kampionat ashtu edhe në Evropë. Besoj se vazhdimësia me fitore na bën me të qetë për vazhdimin e kampionatit. Është një fitore që na jep qetësinë për të vazhduar tutje. Sigurisht fitoret janë pjesë shumë e mirë për grupin, i cili po shfaq mentalitet fituesi. E gjithë kjo ecuri pozitive ka një vlerë shumë të madhe, duke nxjerr në pah karakterin e jashtëzakonshëm me grupin”, ka thënë Daja për “ArtMotion” pas ndeshjes.