Sport

Newcastle “blindon” Brunon

Mesfushori i Brazilit, Bruno Guimaraes, do të jetë pjesë e Newcastle Unitedit edhe për një periudhë të gjatë.

“Sky Sports” ka raportuar të martën se Bruno ka firmosur kontratë të re afatgjate me ekipin anglez, e cila do të bëhet zyrtare këtë javë. Me kontratën e re, Bruno do të mbetet te Newcastle deri në vitin 2028 dhe do të ketë një klauzolë lirimi në vlerë prej 120 milionë eurosh.

Kontrata aktuale i skadon Brunos në vitin 2026, por Newcastle ka reaguar për ta bllokuar brazilianin, i cili po kërkohet nga skuadrat e tjera të mëdha të Evropës. Ai iu bashkua ekipit anglez në janar të vitit të shkuar nga Lyoni dhe është shndërruar në lojtarin kryesor të ekipit.

Në 9 paraqitje këtë edicion në të gjitha garat, 25-vjeçari ka 1 gol dhe 1 asistim. Ai ka edhe 14 ndeshje të luajtura dhe 1 gol të shënuar për Brazilin.