Ndeshja e Ligës së Kampionëve të Azisë mes Al-Ittihadit të Arabisë Saudite dhe Sepahanit të Iranit nuk u zhvillua, pasi që ekipi saudit refuzoi të futej në fushë, raporton BBC.
Ekipi saudit, që drejtohet nga trajneri Nuno Espirito Santo, dhe në mesin e lojtarëve ka emra si N’Golo Kante dhe Fabinho, ishte kundër statujës së gjeneralit të vrarë iranian, Qasem Soleimani. Statuja ishte vendosur në hyrje të fushës.
Rreth 60 mijë tifozë në stadiumin “Naghsh-e Jahn” në Isafahan të Iranit, po prisnin fillimin e ndeshjes.
Tensionet mes Iranit dhe Arabisë Saudite kanë bërë që ndeshjet mes klubeve të dy shteteve të luhen në fusha neutrale që nga viti 2016, për shkaqe sigurie.
Konfederata e Futbollit të Azisë (AFC) ka thënë se “ndeshja u anulua për shkak të rrethanava të paparashikuara”.
“AFC përsërit angazhimin e saj për të garantuar sigurinë e lojtarëve, zyrtarëve të ndeshjes, shikuesve dhe gjithë akterëve të përfshirë. Çështja do t’i referohet komisioneve përkatëse”, thuhet në deklaratën e AFC-së.
Qasem Soleimani u vra në afërsi të aeroportit të Bagdadit në një sulm amerikan me dron në janar të vitit 2020.
Arabia Saudite ka klasifikuar si terroristë Soleimanin dhe komandantët tjerë të lartë të Forcave Kuds, krahu i operacioneve jashtë vendit i Gardës Revolucionare të Iranit, që nga viti 2018.
Sauditët e kanë mbajtur Soleimanin përgjegjës për aktivitetet rajonale të Iranit dhe e kanë akuzuar atë dhe komandantët tjerë për sulmet mbi instalimet e naftës saudite dhe po ashtu për mbështetjen e rebelëve “Houthi” në Jemen, të cilët kanë sulmuar qytetet saudite. Irani i ka mohuar akuza.
Këtë stinor, është hera e parë që nga viti 2016, që klubet iraniane kanë vizituar Iranin.
Al-Nassr i Cristiano Ronaldos luajti muajin e kaluar kundër Persepolisit në Iran në kuadër të Ligës së Kampionëve të Azisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.