Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, edhe një herë është treguar i rëndësishëm për skuadrën e Mallorcas. Muriqi i ka siguruar ekipit të tij një pikë të vlefshme në shtëpi ndaj Barcelonës. Mallorca të martën mbrëma barazoi 2:2 në ndeshjen që i takoi xhiros së shtatë të La Ligas. Për këtë pikë të fituar të Mallorcas, pa dyshim së më i merituari ishte Muriqi. Ai jo vetëm që shënoi një gol, por bëri edhe një asistim për golin e dytë të ekipit të tij, i cili u shënua nga Abdon në minutat shtesë të pjesës së parë. Madje 29-vjeçari është shpallur edhe lojtari më i mirë i ndeshjes. Muriqi është shprehur shumë i lumtur me golin e shënuar ndaj Barcelonës dhe ka insistuar se pret të vazhdojë me këtë formë edhe në duelet e tjera. Për Muriqin ky ishte goli i tretë rresht, pasi ka shënuar edhe në humbjen nga Girona (5:3) dhe në triumfin ndaj Celta Vigos (1:0).
“Sigurisht, që jam shumë i lumtur për golin për shkak se unë jam sulmues. Kur nuk shënon gola nervozohesh, dhe kjo ndikon edhe në formën tënde. Me Celtan shënova, pastaj vazhdova edhe me Gironan dhe me Barcelonën realizova golin e tretë”, është shprehur Muriqi, i cili ka 7 paraqitje në La Liga deri më tani. “Kur je sulmues, të gjithë presin dhe kërkojnë gola prej teje. Andaj, besoj se do të vazhdoj me gola edhe në ndeshjet e tjera për ta ndihmuar ekipin që të tubojë sa më shumë pikë”.
Me barazimin ndaj Barcelonës, Mallorca është ngritur në kuotën e gjashtë pikëve. Për Mallorcan, ky ishte barazimi i tretë në shtatë ndeshje të luajtura këtë edicion, ku ka regjistruar edhe një fitore e tri humbje. Muriqi ka insistuar se pika e fituar ndaj Barcelonës ishte më se e nevojshme për Mallorcan, sidomos pas humbjes që e pësoi vikendin e shkuar nga Girona. Ai pranoi se rezultati është korrekt, ndonëse shtoi se Mallorca ka mundur t’i marrë pikët e plota.
“Po vinim nga një humbje e rëndë dhe patjetër që është dashur t’i përmirësojmë gjërat kundër Barcelonës. Luftuam dhe nuk u dorëzuam deri në fund, ndërsa edhe fatin e kishim në anën tonë. Rezultati i ndeshjes është i drejtë edhe pse e kishim një rast shumë të mirë në fund të ndeshjes”, ka thënë Muriqi, i cili ishte i pazëvendësueshën ndaj Barçës. “Kemi punuar dhe përgatitur mirë gjatë tërë javës për duelin me Barcelonën. E kishim parasysh se Barça me topin në këmbë është shumë e mirë, por e dinim që edhe ka defekte në mbrojtje. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të marrim shumë pikë këtë edicion”.
Ndërkohë, trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre, ka thënë se pika e fituar ndaj Barcelonës është shumë e rëndësishme për ekipin e tij. Ai, gjithashtu, ka zbuluar se taktika e Mallorcas në këtë ndeshje ishte që të luajë me Muriqin me topa të gjatë, gjë që edhe funksionoi.
“Ndaj Barcelonës nuk na kanë interesuar pasimet, por kemi qenë të fokusuar në topat e gjatë për Muriqin, i cili është një lojtar fantatik. Jam i kënaqur me barazimin, por edhe me lojën e ekipit”, tha ai.
Ndeshjen e radhës Mallorca e luan të dielën në udhëtim te skuadra e Rayo Vallecanos.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.