Gjendja e Lionel Messit mbetet e paqartë për ndeshjen finale të “U.S. Open Cup” që Inter Miami e luan kundër Houston Dynamos të enjten. Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” u zëvendësua në ndeshjen kundër Torontos më 20 shtator, në pjesën e parë, për shkak të një problemi në këmbë. Messi nuk luajti në barazimin 1:1 të Inter Miamit në Orlando të hënën. Ishte ndeshja e tretë që ai humbi në tërësi - dy për klubin, një për Argjentinën - në dy javët e fundit.
Messi nuk ishte në fushë as në pjesën e seancës stërvitore që ishte e hapur për gazetarë, të martën. Duke folur në konferencën për shtyp pas stërvitjes, në selinë e skuadrës në Fort Lauderdale, trajneri i Inter Miamit, Gerardo “Tata” Martino tha se asnjë vendim për gjendjen e Messit nuk do të merret përpara të mërkurës.
“Është një hendikep i madh kur nuk ke lojtarin më të mirë në botë”, tha mesfushori i Inter Miamit, Sergio Busquets.
Natyra e problemit në këmbën e Messit mbetet e paqartë. Lodhja fillimisht u përmend si arsye për mungesën e Messit. Martino tha javën e kaluar se problemi rrjedh nga një dëmtim i mëparshëm.
Messi u pa duke u shtrirë disa herë gjatë ndeshjes së 20 shtatorit, për të treguar se kishte një lloj problemi muskulor. Jordi Alba, një tjetër blerje e Inter Miamit, pritet të humbasë finalen e kupës për shkak të lëndimit, tha Martino. Ai u largua nga ndeshja e 20 shtatorit kundër Torontos rreth tre minuta para se Messi të zëvendësohej.
36-vjeçari Messi lëshoi fitoren e Argjentinës në kualifikimet e “Botërorit 2026” në Bolivi më 12 shtator dhe mungoi në humbjen 5:2 të Inter Miamit tek Atlanta Unitedi më 16 shtator. Ai u kthye për ndeshjen e 20 shtatorit, por nuk arriti ta përfundonte as pjesën e parë. Inter Miami është ende në garë për t’u kualifikuar në plejofin e Major League Soccer (MLS) dhe ka tri ndeshje në ditët në vijim. Ekipi do të presë New York Cityn të shtunën, do të luajë në Chicago më 4 tetor dhe kthehet në shtëpi për t'u përballur me Cincinnatin më 7 tetor.
Martino tregoi se çdo vendim për ta pasur Messin në dispozicion për ndeshjet e ardhshme të MLS-së do të merret pas finales me Dynamo Houstonin. Skuadra ka humbur vetëm një herë në 15 ndeshje qëkur Messi u paraqit për herë të parë, duke fituar nëntë prej atyre ndeshjeve dhe duke barazuar pesë herë. Messi, i cili do të fitojë diku midis 125 dhe 150 milionë dollarë tek Inter Miami, është paraqitur në 12 ndeshje, shumica prej tyre në Kupën e Ligës dhe “U.S. Open Cup” të SHBA-së. Ai ka 11 gola dhe tetë asistime në këto gara, si dhe një gol dhe dy asistime në katër duele të MLS-së. Por, ka shqetësime se ngarkesa nga orari kaq i ngjeshur i ndeshjeve do të jetë problem për Messin që ta përballojë.
“Ne nuk jemi makineri, nuk jemi robotë”, tha Busquets. “Do të donim të luanim të gjitha ndeshjet dhe të mos jemi të lodhur dhe të mos kemi lëndime. Por, është diçka që ne nuk mund ta kontrollojmë”.
Biletat në tregun e zi për ndeshjen e së enjtes ishin nga 170 dollarë e deri në 5000 dollarë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.