Rezultatet e Përfaqësueses së Kosovës në futboll diskutohen shumë e nga palë të ndryshme. Shpesh janë tema numër një e sportit në vend. Me rezultatet e Kosovës të martën u mor edhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. FFK-ja është përgjegjëse për zhvillimin e futbollit në vend e rrjedhimisht edhe për rezultatet e Përfaqësueses.
Por organi i lartë ekzekutiv i Federatës nuk mori përgjegjësinë për rezultatet e Kosovës, ka kohë që janë të dobëta. Gjithë zhvillimet rreth Përfaqësueses, Komiteti Ekzekutiv i ka përmbledhur me një fjali në njoftimin e lëshuar.
“Komiteti Ekzekutiv analizoi paraqitjet e ekipeve të Kombëtares ‘A’ dhe asaj U21, që nuk mund të flitet për ndonjë sukses por që duhet një konsolidim i tyre në vazhdim”, shkruan në njoftimin e FFK-së për mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv.
Kosova së fundi pësoi 2:0 nga Rumania. Më herët barazoi 2:2 me Zvicrën, në një ndeshje jo shumë tipike, ndërsa në qershor kishte pësuar nga Bjellorusia, 2:1. Tashmë është jashtë objektivave. Synim i FFK-së ishte kualifikimi në “Euro 2024”, por për dështimin e hershëm për t’iu afruar këtij synimi, organi vendimmarrës i Federatës nuk ka pranuar përgjegjësinë.
Pas gjashtë ndeshjeve, Kosova është e parafundit në grup me vetëm katër pikë. Është në kërkim të fitores së parë në këtë cikël kualifikues. Kosova i ka edhe dy ndeshje në tetor e dy të tjera në nëntor. Por kualifikimi është i pamundur.
Kosova U21 së fundi pësoi 3:0 nga Gjermania e me rezultat të njëjtë humbi edhe nga Polonia në udhëtim.
Ka shumë gjëra që për kohë të gjatë nuk janë në nivelin e duhur te Përfaqësuesja A e Kosovës. Selektori aktual, Primozh Gliha, është zgjedhur në këtë post pa konsultim paraprak me të. Ai ishte i punësuar në FFK, ndërsa pas shkarkimit të Alain Giresset vetëm iu ndërrua pozita, përkatësisht u gradua në postin e selektorit. Gliha është kritikuar për tërheqje nga krahu të Edon Zhegrovës në ndeshjen ndaj Rumanisë. Zhegrova pas ndeshjes kishte deklaruar se duhet të ndryshojnë disa gjëra të brendshme në Përfaqësuese, por më pas ishte tërhequr nga kjo deklaratë.
Gliha nuk ka një staf të zgjedhur prej tij në Përfaqësuese. Stafin ia përcaktoi pikërisht Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Si në rrallë ndonjë përfaqësuese tjetër, ndihmës i janë caktuar selektorët e grupmoshave të reja, Afrim Tovërlani e Arbnor Morina.
“Pas diskutimeve të arsyeshme, KE i FFK-së vendosi që në krye të shtabit teknik të emërohet Primozh Gliha, derisa atij do t’i ndihmojnë Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards. KE-ja vendosi që t’ia besojë drejtimin e ‘dardanëve’ ekipit të brendshëm të trajnerëve, që tashmë janë të angazhuar në ekipet kombëtare”, shkruan në njoftimin e FFK-së të 4 korrikut.
Loja dhe rezultatet e Kosovës nuk kanë ndryshuar me Glihën. Janë larg atyre të synuara.
Kosova tashmë është jashtë objektivave, por përgjegjësia vazhdon të mbetet e “askujt”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.