Nagelsmann do ta udhëheqë Gjermaninë në “Euro 2024”
Ish-trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, do të jetë selektor i ri i Përfaqësueses së Gjermanisë. “Bild” ka raportuar të martën se Nagelsmann do ta udhëheqë Gjermaninë në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm. Mësohet se marrëveshja është arritur mes palëve dhe do të bëhet zyrtare ditëve në vijim.
Thuhet se marrëveshja do të jetë afatshkurtër, me opsionin e vazhdimisht pas Evropianit të vitit të ardhshëm.
Nageslmann ka pranuar të firmosë kontratë 11-muajshe me Federatën gjermane, ku do të ketë pagë mujore prej 400 mijë eurosh.
Federata gjermane nuk do të paguajë dëmshpërblim për Nagelsmannin, pasi Bayern Munichu ka pranuar t’ia shkëpusë kontratën që ende e ka valide. Nagelsmann në postin e selektorit të Gjermanisë do ta zëvendësojë Hansi Flickun e shkarkuar javë më parë. Gjermania është mikpritëse e Kampionatit Evropian dhe pjesëmarrjen në këtë turne e ka të garantuar.