Vetëm të luaj është një fitore e vogël për Shakhtar Donetskun, megjithëse kampioni i Ukrainës nuk do të ndalet me kaq. Kapiteni i ekipit, Taras Stepanenko, tha të hënën se ndeshja hapëse e Shakhtarit në Ligën e Kampionëve kundër Portos, të martën, është pjesë e detyrës së ekipit të tij për të përfaqësuar Ukrainën dhe për të treguar qëndrueshmërinë e vendit.
“Ushtarët tanë luftojnë në beteja dhe ne luftojmë në arenën sportive. Pra, është detyra jonë si qytetarë të Ukrainës”, insistoi ai.
Stepanenko parashikon “emocione të mëdha” kur Shakhtari të dal para dhjetëra mijëra tifozëve, vendas dhe ukrainas, në Hamburg.
Liga ukrainase rifilloi një vit më parë, pavarësisht luftës, por të gjitha ndeshjet luhen në stadiume të zbrazëta. Dhe ndonjëherë ndërpriten nga sirenat e sulmit ajror. Për të dytin edicion radhazi, Shakhtari po luan ndeshjet e tij në Champions jashtë Ukrainës për shkak të pushtimit rus. Vitin e kaluar, Polonia ishte vendi i Shakhtarit si vendas. Tani është Gjermania, një vend që ka mirëpritur qindra mijëra ukrainas që ikën nga luftimet.
Arritja në Hamburg u bë pas një udhëtimi “absolutisht të vështirë” prej 10 orësh, tha Stepanenko. Udhëtimi u bë kryesisht me autobus sepse aeroportet e Ukrainës janë mbyllur që nga pushtimi. Pasi fitoi një ndeshje të ligës ukrainase të shtunën, skuadra u nis me autobus për në Poloni nga qyteti kufitar i Lvivit, kaloi rreth tri orë duke kaluar kufirin dhe më pas bëri një fluturim nga Polonia në Hamburg. Është teknikisht një ndeshje në shtëpi për Shakhtarin, por skuadra mysafire do të arrijë atje shumë më shpejt nga Portugalia.
“Asnjëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë në kufij. Edhe me ligën vendase ka shumë udhëtime të përfshira në ndeshjet jashtë. Orët në autobus janë një gjë e zakonshme për momentin”, tha trajneri i Shakhtarit, Patrick van Leeuwen.
Përveç emailave të zakonshëm të tifozëve, lojtarët marrin mesazhe nga trupat ukrainase në vijën e parë të frontit. Stepanenko tha se është një kujtesë se si situata e tyre krahasohet me vështirësitë me të cilat përballen ushtarët. Është edhe motivim shtesë për të dhënë gjithçka në fushë.
“Kur barazuam me Anglinë në ndeshjen e 9 shtatorit me Ukrainën, mora vërtet shumë mesazhe nga ushtarët. Ata e ndoqën ndeshjen në fushën e betejës afër zonës ku është situata më e vështirë tani dhe ata ndanë disa momente për të parë futboll. Për ta është si një çlirim nga situata aktuale”, tha ai. “Për ne ndonjëherë është e vështirë të krahasosh veten me ata. Jemi në kushte të mira, luajmë futboll dhe ata njerëz po na mbështesin gjatë luftës”.
Qyteti ku lindi Stepanenko, Velyka Novosilka, është në territorin e kontrolluar nga Ukraina pranë vijës së parë të kundërofensivës së fundit të vendit. Është “shkatërruar totalisht”, tha ai. Nëna dhe gjyshja e Stepanenkos janë zhvendosur nga qyteti i Zaporizhzhia, një objektiv i shpeshtë i sulmeve ruse.
“Gjyshja ime çdo ditë bie në kontakt me motrën e saj që jeton në Novosilka dhe ajo është në bodrum”, tha ai. “Nuk është një qytet i madh, por është tërësisht i shkatërruar. Dhe fshati më i afërt po ashtu. Unë mendoj se ndoshta 10% e njerëzve jetojnë ende atje sepse ndoshta nuk duan të largohen, ndoshta dikush nuk ka mundësinë të largohet nga ky vend. Unë nuk e di. Ky është ferri”.
Një nga shokët e skuadrës së Stepanenkos është 36-vjeçari, ish-mbrojtësi i Barcelonës, Dmytro Chygrynskyy, i cili u bashkua për herë të parë me Shakhtarin në vitin 2002. Vitin e kaluar, ai luante në Greqi kur Rusia pushtoi Ukrainën dhe ai iu bashkua Shakhtarit për këtë edicion për t'i shtuar përvojën ekipit që përbëhet nga shumë lojtarë të rinj nga akademia.
“Që nga fillimi i luftës e kisha këtë dilemë brenda meje sepse luaja futboll, bëja atë që jam mësuar të bëj, atë që kam bërë gjatë gjithë jetës sime. Por duke e ditur që familja ime ishte në Ukrainë, nuk ishte aspak e lehtë”, pranoi Chygrynskyy. “Kur e pata këtë mundësi të kthehesha, ishte e mrekullueshme. Dhe sinqerisht tani ndihem shumë i lumtur dhe gjithashtu krenar për atë që kam parë, që njerëzit janë aq të bashkuar saqë vazhdojnë të luftojnë, të jetojnë. Ata janë kaq optimistë, kaq të guximshëm”.
Shakhtari ishte klub i zhvendosur shumë përpara pushtimit të vitit 2022. Klubi përfaqëson qytetin e Donetskut në Ukrainën lindore, por nuk ka luajtur atje për gati një dekadë, që kur qyteti u mor nga forcat separatiste të mbështetura nga Rusia në vitin 2014.
Rusia tani pretendon se e ka aneksuar atë vend. Stepanenko ka qenë me Shakhtarin që nga viti 2010 dhe argumenton se historia e fundit e klubit tregon se si ukrainasit janë afruar më shumë mes vete. Ukrainasit nga pjesë të tjera të vendit hezituan të mbështesin Shakhtarin në fillim kur u zhvendos nga Donetsku për të luajtur në qytete si Kievi dhe Lvivi, tha ai. Ekipi mbetet shumë i identifikuar me zonat rusisht-folëse dhe me miniera të qymyrit në Ukrainën lindore – emri i tij do të thotë “minator” – por gjithnjë e më shumë po bëhet një simbol i Ukrainës në tërësi.
Presidenti i klubit të Shakhtarit është miliarderi ukrainas Rinat Akhmetov, i cili premtoi 25 milionë dollarë për familjet e ushtarëve pasi klubi shiti Mykhailo Mudrykun te Chelsea për 100 milionë euro në janar. Pavarësisht pasurisë pas Shakhtarit, klubi nuk do të heqë dorë nga shpresa për t'u rikthyer për të luajtur në Donetsk një ditë, tha Chygrynskyy.
“Kjo është gjithashtu ëndrra e presidentit dhe e të gjithë njerëzve këtu, sepse me mundësitë e presidentit, mund të kishim ndërtuar një arenë tjetër, stadium apo çfarëdo tjetër në Kiev”, tha Chygrynskyy. “Por ne e dimë se nga jemi, cila është shtëpia jonë”.