Sport

Parisi me pamje të re nuk ka shumë ambicie në Champions

Paris Saint-Germaini e filloi edicionin e kaluar në Ligën e Kampionëve me Lionel Messin e Neymarin në ekip dhe me një fitore ndaj Juventusit. Dy të mëdhenjtë e futbollit nuk shënuan atë natë dhe PSG-ja më vonë u eliminua nga gara më e mirë i Evropës në 1/8 e finales, për herë të pestë në shtatë vjet. Eliminimi i parakohshëm edhe një herë konfirmoi dështimin flagrant të strategjisë së PSG-së për të mbledhur yje por pa pasur komponim të vërtetë mes tyre.

Megjithatë, pronarët e klubit kanë ndryshuar planin e tyre gjatë kësaj vere dhe tani është një PSG i rinovuar që do të përballet me Borussia Dortmundin të martën, ndërsa fillon faza e grupeve të Championsit. Si zakonisht, kampioni i Francës ka shpenzuar shumë para në përforcimet e reja, por duket se tani klubi nuk është i obsesionuar pas emrave të mëdhenj. Duke marrë pjesë në fazën e grupeve për të 12-tën herë radhazi, skuadra e PSG-së përballë Dortmundit të martën është rrënjësisht e ndryshme nga ajo skuadër që u eliminua nga Bayern Munichu edicionin e kaluar.

Në sulm, Marco Asensio iu bashkua nga Real Madridi, Gonçalo Ramos nga Benfica dhe Randal Kolo Muani nënshkroi për të formuar ndoshta një repart tërësisht francez së bashku me Kylian Mbappen dhe Ousmane Dembelen. PSG-ja gjithashtu transformoi mesfushën, duke angazhuar Kang-in Lee dhe Manuel Ugarten. Në mbrojtje u shtua Lucas Hernandez i Bayernit dhe Milan Skriniar.

Përveç Messit dhe Neymarit janë larguar edhe Sergio Ramos e Marco Verratti, ndërsa PSG-ja kaloi në formacionin 4-3-3 nën drejtimin e trajnerit të ri Luis Enrique, i cili nuk duhet të shqetësohet për të akomoduar yje të mëdhenj. Investitorët e Katarit, që morën drejtimin e klubit në vitin 2011, shpresojnë se strategjia e tyre e re më në fund do t'i ndihmojë të bartin dominimin e brendshëm të klubit në skenën më të madhe të Evropës. Dhe ata gjithashtu llogarisin te Enrique, i cili fitoi Ligën e Kampionëve, ligën spanjolle dhe Kupën e Mbretit në edicionin e tij të parë në krye të Barcelonës.

“Ke nevojë për ambicie, por kur je i fiksuar pas diçkaje nuk funksionon kurrë, në asnjë fushë të jetës”, tha Enrique të hënën kur u pyet për dëshirën e PSG-së për Ligën e Kampionëve. “Ne kemi vërtet shpresë, duam të dalim dhe të luajmë, duam të kënaqim tifozët tanë, duam që turneu të fillojë, por nuk jemi të fiksuar”.

Lojtarët e rinj nuk janë futur ende në ritëm dhe sistemi i bazuar në zotërimin e topit nga Enrique nuk ka dhënë rezultate të menjëhershme. Në ligën franceze, PSG-ja ka marrë vetëm tetë pikë nga pesë ndeshje, bilanci më i keq që nga edicioni 2010/11. Skuadra humbi në shtëpi nga Nice, 3:2, javën e shkuar. PSG-ja dukej e lëkundur dhe i mungonte kreativiteti sulmues pasi Skriniar dhe Dembele dhanë paraqitje nën nivelin e tyre. Megjithatë, Enrique tha se nuk ishte i shqetësuar nga rezultati.

“Nëse po flasim për tre golat, dy prej tyre u pranuan nga mbrojtësit tanë”, tha trajneri spanjoll. “Nuk jam aspak i shqetësuar. Mendoj se të martën do të luajmë më mirë, jam i sigurt se do të jemi më mirë. Unë jam optimist, edhe nëse është një ndeshje kundër një kundërshtari të vështirë”.

Pas përplasjes mes Mbappes dhe zyrtarëve të klubit për një mosmarrëveshje për kontratën, sulmuesi francez ka qenë një burim besimi për Enriquen. Pas tejkalimit të një dëmtimi të vogël në gju, Mbappe u rikthye me dy gola ndaj Nice dhe duhet të udhëheqë sulmin ndaj Dortmundit.