Nuk kanë të ndalur përplasjet e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe klubit Prishtina lidhur me stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Të premten në mesditë, Prishtina njoftoi se ndeshja e së dieles me Lirinë e Prizrenit luhet në “Fadil Vokrri”, të dielen. Ndërkohë, FFK-ja doli me njoftim se ndeshja nuk do të luhet në këtë stadium.
“Fadil Vokrri” më parë njihej si stadiumi i qytetit në Prishtinë dhe klubi Prishtina vazhdimisht i ka zhvilluar ndeshjet aty. Madje stadiumi njihet si shtëpi e Prishtinës. Por tashmë e menaxhon FFK-ja, sipas një marrëveshje me shumë të panjohura me Komunën e Prishtinës, dhe skuadra prishtinase po e ka qasjen e kufizuar.
Këtë edicion, Prishtina nuk ka luajtur ende në shtëpinë e saj. Dhe me shumë mundësi duhet të presë edhe të paktën një javë për të luajtur në “Fadil Vokrri”.
“FC Prishtina ka marrë njoftimin për orarin e zhvillimit të ndeshjes së javës së pestë të Superligës së Kosovës, Prishtina – Liria që zhvillohet të dielën më 17 shtator nga ora 15:00. Pas këtij njoftimi, ne e kemi njoftuar me kohë sipas propozicioneve të garave, FFK-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët tjerë që marrin pjesë në organizimin e ndeshjeve kampionale, se ndeshja zhvillohet sipas orarit në fushën tonë në stadiumin, ‘Fadil Vokrri’. Po ashtu kemi shtypur biletat dhe iu kemi përgjigjur kërkesës së skuadrës mysafire për prezencën e tifozerisë së tyre. Prishtina rikthehet në fushën e saj pas mirëkuptimit që fusha të ruhej për ndeshjet e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.
Klubi i kaltër ka njoftuar se tashmë ka nxjerrë në shitje edhe biletat.
“Ftojmë tifozerinë tonë që numër sa më të madh të jetë në përkrahje të klubit të zemrës. Çmimi i biletave është 3 euro në tribunën perëndimore, 2 euro në tribunën lindore dhe 1 euro në tribunën veriore, ndërsa tribuna jugore është e rezervuar për adhuruesit tanë, Plisat”, ka shkruar Prishtina në njoftimin e saj.
Prishtina kishte bërë përpjekje që në “Fadil Vokrri” t’i luante edhe ndeshjet e deritashme si vendase. Por pa sukses. Luajti në Hajvali, në kampin nacional të FFK-së.
Sipas FFK-së, në Hajvali do të zhvillohet edhe ndeshja e së dieles me Lirinë. FFK-ja ka njoftuar se tashmë ka nisur riparimi i fushës në “Fadil Vokrri”.
Për shkak se është stadiumi i vetëm që i plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare, “Fadil Vokrri” është shumë i ngarkuar. Ballkani do të luajë ndeshje të Ligës së Konferencës këtë muaj e muajin tjetër ka aktivitete tjera të ekipeve përfaqësuese. Dhe me gjasë, Prishtina do të detyrohet të zhvendoset sërish në Hajvali, të paktën për ndeshjen me Lirinë.
“Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë me kohë ka njoftuar FC Prishtina se ndeshja e javës së 5-të, ndërmjet FC Prishtina dhe FC Liria, nuk do të mund të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ngase menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, FFK-ja ka filluar me procesin e riparimit të fushës. FFK-ja, si zakonisht, i ka dalë në ndihmë FC Prishtina, duke ia vënë në dispozicion stadiumin me bari natyral në Kampin Nacional të FFK-së për zhvillimin e kësaj ndeshje, ashtu siç ka bërë edhe në ndeshjet e kaluara të këtij edicioni. Andaj, Komisioni i Garave ka vendosur që ndeshja në fjalë të zhvillohet më 17 shtator, në orën 15:00, në Kampin Nacional në Hajvali”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Federata ka lënë shpresë se Prishtina mund të luajë ndeshje kampionale në stadiumin në Prishtinë që nga java e ardhshme.
“Pas kësaj jave, sipas ekspertëve të fushës, përfundon faza e rikuperimit të fushës dhe do të mund të rifillojë zhvillimi i ndeshjeve të Superligës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, shkruan tutje në njoftimin e FFK-së.
Zhvillimi i ndeshjeve jashtë Prishtinës vlerësohet se ka ndikim edhe në rezultatet e Prishtinës, klub që vazhdimisht përballet me telashe organizative. Telashet e Prishtinës, që shumë njerëz e konsiderojnë klubin më të madh në vend, nuk kanë të bëjnë vetëm me stadiumin.