Sport

Guardiola kthehet te City pas operimit në shpinë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është kthyer në skuadër, pasi e ka kryer rehabilitimin nga operimi që e pati në shpinë.

Agjencia e lajmeve “Press Association” ka mësuar se tekniku nga Katalonja e ka nisur sërish punën pas tre javësh mungesë.

Ekipin në këtë periudhë e ka udhëhequr ndihmësi i tij, Juanma Lillo.

Në mungesë të Guardiolës, fituesi i tripletës në edicionin e kaluar, City, mposhti Sheffield Unitedin dhe Fulhamin, për ta vazhduar nisjen e përkryer në Premier League.

Ndeshjen e radhës, City e luan kundër West Ham Unitedit. Në javën e ardhshme e nis kampanjën e re në Ligën e Kampionëve, në udhëtim te Crvena Zvezda e Beogradit.