Selektori i Rumanisë, Edi Iordanescu, nuk e fsheh zhgënjimin e ekipit të tij me Izraelin, por insiston se do të rikthehen fuqishëm në duelin ndaj Kosovës. Në konferencën e mbajtur për shtyp të hënën, një ditë para ndeshjes me Kosovën, Iordanescu ka shprehur optimizmin e tij. Ai ka thënë se futbollistët e tij janë të përgatitur mirë moralisht dhe kanë përparësi ndaj Kosovës, pasi luajnë në shtëpi. Dueli mes Rumanisë dhe Kosovës zhvillohet të martën prej orës 20:45 në Bukuresht dhe i takon Grupit I kualifikues për “Euro 2024”.
Si Rumania, ashtu edhe Kosova barazuan javën e shkuar në ndeshjet e para të këtij muaji. Rumunët luajtën 1:1 ndaj Izraelit, ndërsa Kosova 2:2 kundër Përfaqësueses së Zvicrës. Pavarësisht barazimit me Izraelin, Rumania ka mbetur në pozitën e dytë në grup me 9 pikë, dy më pak se Zvicra që është lidere.
Iordanescu ka thënë se ekipi i tij do ta ruajë këtë pozitë edhe pas ndeshjes me Kosovën, e cila ka 4 pikë pas 5 ndeshjeve të luajtura dhe zë vendin e parafundit në grup. Zvicra dhe Rumania janë ekipet e vetme në grup që ende nuk dinë për humbje në këto kualifikime dhe Iordanecsu pret që situata të mbetet e tillë edhe pas përballjes të së martës mbrëma. Ndeshjen me Kosovën, Iordanescu e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme për ekipin e tij.
“Jemi para një momenti të rëndësishëm, një ndeshje të rëndësishme për renditjen në tabelë dhe objektivin që e kemi. Jemi shumë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhemi, por besoj se do të reagojmë. Unë jam jashtëzakonisht realist dhe e pranoj realitetin, kështu që, duhet të rrisim nivelin tonë të lojë duke u nisur nga ndeshja me Kosovën”, është shprehur Iordanescu. “Ne jemi në garë për kualifikim në evropian. Jemi në pozitën e dytë dhe të pamposhtur pas pesë ndeshjeve të luajtura. Po ashtu, kemi edhe mbrojtjen më të mirë. Do të vazhdojmë tutje me vetëbesim dhe këtë e pres në ndeshjen e radhës”.
Për duelin me Kosovën, selektori rumun ka paralajmëruar ndryshime në formacion. Ka pranuar se Kosova mbetet një kundërshtar tejet i fortë, duke pasur parasysh se ka lojtarë shumë të mirë që luajnë nëpër top-ligat evropiane.
“Ndryshime në formacion, padyshim se do të ketë. Nuk e di sa ndryshime, por ato do t’i shihni para ndeshjes. Kemi nevojë për energji, të vrapojmë dhe të fitojmë duelet. Na pret një ndeshje shumë e vështirë për shkak se Kosova ka lojtarë në pesë ligat më të forta të Evropës dhe vjen këtu për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim”, shtoi Iordanescu.
Ai ka folur edhe për Albion Rrahmanin e Ermal Krasniqin, të cilët bëjnë karrierë në futbollin rumun. Rrahmani muaj më parë iu bashkua Rapidit të Bukureshtit, ndërsa Krasniqi prej fillimit të këtij viti është pjesë e Clujit. Të dy u transferuan në Rumani nga skuadra e Ballkanit.
“Edhe kjo mund të jetë një çështje. Ata janë dy lojtarë që mund t’i japin shumë informata Kosovën për futbollin rumun dhe lojtarët që i kemi në ekip. Kjo sigurisht shkon kundër meje, por synimi im është ta kemi paraqitje të mirë dhe sigurisht të fitojmë për të ecur drejt kualifikimit”, shtoi ai. “Kosova ka një lojë të mirë, po ashtu lojtarë që mund ta bëjnë dallimin në duelet një me një pasi janë shumë të mirë teknikisht. Kjo mund ta bëjë dallimin në çdo moment të lojës dhe ata kanë ardhur këtu të vendosur për të fituar”.
Ndërkohë, futbollisti i Rumanisë, Andrei Burca, pranoi haptazi se ndaj Kosovës duan pikët e plota. Ai pret edhe përkrahjen e madhe të publikut në ndeshjen kundër Kosovës.
“Duam fitore dhe kjo nuk diskutohet. E kjo do të arrihet me angazhim maksimal në fushë dhe përmbushjen e detyrave të trajnerit. Nuk kemi çka diskutojmë më shumë, pasi ne do të dalim vetëm për të marrë tri pikët dhe të reagojmë pas barazimit me Izraelin”.
Dueli i parë, ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë, i zhvilluar në muajin qershor në Prishtinë, ka përfunduar pa gola.