Sikur gjërat të kishin shkuar ndryshe, sikur të kishte lulëzuar pak sukses në margjinat e shpresave të një vendi të tërë, Bernard Challandes mund të ishte ende në stolin e Përfaqësueses së Kosovës gati për të bërë një lëvizje të shtunën mbrëma kundër Zvicrës në kualifikimet për “Euro 2024”. Por trajneri zviceran, i cili u emërua në krye të Kosovës në vitin 2018, u shkarkua në vitin 2021, për mungesë rezultatesh në kualifikimet për botërorin “Katari 2022”. “Faleminderit!”, është kjo fjalë kurioze që zbut një shkarkim. Challandes do të mbahet në mend për punën e tij te Kosova, ndërsa këtë e thotë edhe kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
“Të gjithë do ta kujtojnë jo vetëm si trajner, por si njeri të madh, për të kemi përgjithmonë respekt të pamasë, është pjesë e historisë sonë”, ka thënë Ademi.
Me Challandesin në krye, Kosova është rritur në aspektin sportiv. Para përballjes që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë mes Kosovës dhe Zvicrës, Challandes mund të flasë për ekipin kosovar, të cilin e njeh mirë.
“Po, por ka kaluar disa kohë prejse jam kthyer në Kosovë”, thotë ai.
Megjithatë, syri i teknikut zviceran është ende aty. Pra, Përfaqësuesja e Kosovës. Ai insiston se Kosova është e fortë në aspektin individual, por sa i përket atij kolektiv nuk di çfarë të thotë.
“Pra, kur shikoni listën e lojtarëve në të, shihni një përvojë të madhe. Individualisht, potencialisht, Kosova është e fortë. Kolektivisht, ndoshta kjo është një pyetje tjetër, nuk e di”, pranon Challandes. Situata aktuale te Kosova është ardhja në korrik e një selektori të ri, i cili zëvendësoi Alain Giresse: rikthimi i sllovenit Primoz Gliha, i cili kishte pasuar Challandesin përpara se të lironte vendin për trajnerin francez.
“Po, ka pasur një ndryshim të trajnerit”, rifillon Challandes. “Ai përfshin një rindërtim të diçka që kërkohet, por ka pasur pak kohë për të punuar në gjithë këtë. Nuk është kurrë e lehtë në këto kushte”.
Për pjesën tjetër në rend dite është dueli mes Kosovës dhe Zvicrës. Challandes insiston se Zvicra do të mirëpritet ngrohtësisht në Prishtinë. Ndërsa, një pritje të tillë e pret edhe për Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin.
“Nuk do të ketë asnjë problem”, thotë Challandes. “Kosovarët i janë shumë mirënjohës Zvicrës për rolin që ka luajtur vendi ynë në njohjen e tyre ndërkombëtare, për gjithë ndihmën e dhënë nga Zvicra. Nuk do të ketë rivalitet të keq, as ndaj Xhakës apo Shaqirit për shembull, që mund të kishte zgjedhur Kosovën. Dhe është ende futboll, apo jo?”.
Dueli mes Kosovës dhe Zvicrës nis në orën 20:45.