Mbi 20 mijë shikues ishin në stadium për ndeshjen e parë mes Zvicrës dhe Kosovës. Ishte 29 marsi i vitit 2022, ndërsa ndeshja u luajt në stadiumin “Letzigrund” në Zuerich. Shumica prej 20 mijë e 800 shikuesve ishin shqiptarë.
Ndeshja ishte miqësore, ndërsa u shndërrua në “festë shqiptare”. Miqësor ishte edhe rezultati – 1:1.
Milot Rashica kaloi në epërsi Kosovën në minutën e 52-të, ndërsa nëntë minuta më vonë Zvicra barazoi në 1:1 me Jordan Lotomban.
Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kishin startuar te Zvicra. Ndërkohë te Kosova kanë luajtur shumica e lojtarëve që pritet të jenë startues edhe të shtunën mbrëma në “Fadil Vokrri”.
Aro Muriq ishte në portë e para tij në mbrojtje ishin kapiteni Ami Rrahmani dhe Mirlind Kryeziu, që nuk është i ftuar për ndeshjet e shtatorit. Në krahë ishin Florent Hadërgjonaj në të djathtë dhe Mërgim Vojvoda në të majtë. Mesfusha përbëhej nga Florian Loshaj, Blendi Idrizi e Valon Berisha. Idrizi po ashtu është jashtë përfaqësueses. Në sulm ishte i zakonshmi Vedat Muriqi, ndërsa në krahët e tij Milot Rashica e Zymer Bytyqi. Ishin aktivizuar edhe Betim Fazliji, Florent Muslija, Edon Zhegrova, Ibrahim Dresheviq, Lirim Kastrati e Toni Domgjoni.
Kishte shumë raste në atë miqësore. Më shumë përkrahje kishte për Kosovën dhe ndeshja në fund u përshkrua si “festë shqiptare”. Tifozët e Zvicrës mezi janë dëgjuar në stadium.
Kështu do të jetë edhe të shtunën në “Fadil Vokrri”. Tani ndeshja ka shumë më tepër peshë. Është kualifikuese për “Euro 2024”. Zvicra është lidere e grupit dhe vlerësohet favorite. Kosova vjen pas humbjes dëshpëruese nga Bjellorusia. Pra, është në një moment shumë të vështirë, por me shpresë për kthim në rrugën e duhur.
Paraqitja por edhe rezultati nga ndeshja në Zuerich mund të jenë motivim për Kosovën. Një barazim tjetër nuk do të ishte rezultat i keq për “Dardanët”, marrë për bazë forcën e Zvicrës, ecurinë e Kosovës dhe formën jo të mirë të një pjese të konsiderueshme të lojtarëve.
Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri pritet të startojnë sërish te Zvicra. Ajo ndeshje në Zuerich ishte e 100-ta për Xhakën me Zvicrën. Ai ishte larguar nga fusha në minutën e 63-të, por i nervozuar me vendimin për zëvendësim. Shiritin e kapitenit ia kishte dorëzuar Shaqirit, që kishte lënë fushën në minutën e 75-të. Xhaka e sidomos Shaqiri kishin përkrahjen e shikuesve në stadium. Ndryshe ishte me Andi Zeqirin, që hyri në fushë në minutën e 81-të. Ai u fishkëllye nga shikuesit kur u aktivizua. Madje kishte fishkëllima edhe kur përmendej emri i tij. Një transparent fyes ndaj Zeqirit ishte shfaqur në stadium nga tifozët e Kosovës.
Për Kosovën ishte fillimi i periudhës me përzgjedhësin Alain Giresse. Ai debutoi me fitore të thellë ndaj Burkina Fasos e më pas erdhi paraqitja shumë pozitive ndaj Zvicrës. Por, forma e Kosovës ka shkuar duke rënë. Pika e ulët u arrit në qershor, kur Kosova pësoi nga Bjellorusia. Kjo solli ndarjen me Giressen. Në vend të tij erdhi slloveni Primozh Gliha, i angazhuar edhe më herët në FFK.
“Zhvilluam ndeshje të mirë si ekip, patëm raste edhe për ta fituar lojën. Këto dy ndeshje kanë shërbyer për të parë se ku jemi. Këto dy ndeshje kanë qenë të mira, pasi kanë pasur rastin të luanin shumica e lojtarëve. Por, sigurisht se ndeshja kundër Zvicrës ka qenë më e vështirë dhe e kemi matur veten në këtë ndeshje të fortë para se të grumbullohemi në ndeshjet e qershorit”, kishte thënë Rashica.
Pas ndeshjes kishin folur edhe Shaqiri e Xhaka. Deklaratat e tyre ishin korrekte e shumë të matura. Të dy yjet e Zvicrës kishin folur me respekt për Kosovën.
“Ndjenja ka qenë shumë speciale për mua, sepse është hera e parë që kam luajtur kundër Kosovës, shteti ku kam lindur. Ishte speciale, me shikues që kishin stërmbushur stadiumin dhe atmosferë fantastike. Kosova ka luajtur mirë, ka ekip të mirë dhe duhet të vazhdojë të luajë kështu edhe kundër ekipeve të tjera të forta. Kosova ka cilësi, por i nevojitet më shumë përvojë. I nevojitet edhe pak kohë, por është në rrugë të mirë për të shkuar përpara”, kishte thënë Shaqiri.
“Nuk ka pasur shanse që të jetë më e veçantë ndeshja ime e 100-të me Zvicrën, pasi luajta kundër Kosovës, vendlindjes sime që e dua shumë. Ishte një ndeshje e mirë, ku dy ekipet treguam lojë të mirë, por nuk shfaqëm më të mirën si Kosova ashtu edhe ne”, kishte deklaruar Xhaka.
Kishte shumë gjëra pozitive nga ajo ndeshje në Zuerich. Shumë gjëra që mund të shërbejnë si motivim për lojtarët e Kosovës.
Ndeshja në “Fadil Vokrri” do të dallojë shumë. Por, shpresat janë që sërish sjelljet e tifozëve do të jenë të denja, sidomos lidhur me lojtarët shqiptarë të Zvicrës dhe që rezultati do të jetë i favorshëm për Kosovën. Për ecurinë e përfaqësueses, një rezultat pozitiv ndaj Zvicrës do të ishte me vlerë të jashtëzakonshme.