Plot 20 vjet pas debutimit me përfaqësuesen e Zvicrës, Federata zvicerane e futbollit ka vendosur ta nderojë Milaim Ramën duke i bërë ftesë zyrtare për ndeshjen e së shtunës në “Fadil Vokrri”. Rama është shqiptari i parë që ka luajtur për përfaqësuesen e Zvicrës, ndërsa është shumë i emocionuar që do ta përcjellë nga afër ndeshjen Kosovë – Zvicër, të vlefshme për kualifikimet e “Euro 2024”. Ai ndihet shumë i nderuar që federata zvicerane i ka bërë ftesë për ndeshjen në Prishtinë, ndërsa është i dëshpëruar që një ftesë e tillë nuk e pranoi nga Federata e Futbollit e Kosovës.
FFK-ja është nikoqire e ndeshjes, por Ramën, emrin e respektuar të futbollit shqiptar, e ka ftuar Zvicra, përfaqësuesja mysafire. Federata zvicerane është kujdesur për biletën dhe akomodimin e 47-vjeçarit në Prishtinë.

Rama, që vlerësohet se hapi dyert për shqiptarët në përfaqësuesen e Zvicrës, e di që ndeshja e së shtunës do të jetë shumë e veçantë, sidomos për lojtarët shqiptarë që janë te Zvicra. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Ardon Jashari e Uran Bislimi janë ftuar te Zvicra. Shaqiri e Xhaka në dy botërorët e kaluar kanë bërë krenarë gjithë shqiptarët me veprimet e tyre në fitoret ndaj Serbisë.
“Nuk është hera e parë që djemtë tanë te Zvicra përballen me këso duelesh. Kanë luajtur ndaj Shqipërisë e po ashtu ndaj Kosovës në miqësore. Unë e di se çfarë emocioni është, isha pjesë e Zvicrës në ndeshjen ndaj Shqipërisë në vitin 2003. Shqiptarët që janë te Zvicra gradualisht e kanë kaluar këtë emocion, por megjithatë ndeshja e së shtunës është e veçantë edhe për ta. Për herë të parë përfaqësuesja zvicerane zbret në tokën dardane dhe kjo gjithsesi se do të japë emocione të veçanta. Do të jetë ndjesi e papërshkruar”, ka thënë Milaim Rama të martën për KOHËN.
Ai ka pasur karrierë të suksesshme si sulmues. Është legjendë e Thunit zviceran, ndërsa ishte edhe tek Augsburgu në Gjermani dhe te Schaffhauseni në Zvicër. Për Zvicrën i ka luajtur shtatë ndeshje në vitet 2003 e 2004. Kishte debutuar më 20 gusht të vitit 2003 në një miqësore ndaj Francës. Luajti edhe në “Euro 2004” për helvetikët.
Rama thotë se gjithë shqiptarët që kanë luajtur për Zvicrën janë edhe ambasadorë të popullit të tyre.
Zvicra është përfaqësuese e nivelit dukshëm më të lartë se Kosova.
“Zvicra është kundërshtare shumë e fortë. Ka dy dekada që rregullisht paraqitet në ngjarjet e mëdha të futbollit. Por, shpresojmë të gjithë që Kosova të ketë paraqitje të mirë dhe në një mënyrë të jetë ‘arrë e fortë’ për përfaqësuesen helvetike”, ka shtuar Rama.
Ai ndihet shumë i emocionuar para udhëtimit për në Prishtinë. Pret që qindra tifozë të Zvicrës të jenë në Prishtinë.
“Është ndeshje me Zvicrën dhe unë me krenari e kam mbajtur fanellën e kësaj përfaqësuese. Edhe për mua ndeshja do të jetë emocion i veçantë. Sigurisht që do të ndjej kënaqësi duke parë ndeshjen nga stadiumi. Jam i ftuar në ndeshje nga Federata zvicerane, përkatësisht nga agjencioni që kujdeset për përfaqësuesen zvicerane. Agjencioni që organizon fluturimet dhe akomodimin e përfaqësueses është përkujdesur edhe për mua që të jem në Prishtinë. E kam ndier veten shumë mirë kur më kanë bërë ftesën. Dhe në anën tjetër është pak dëshpëruese që për një gjë të tillë nuk i shkoi mendja Kosovës. Por le ta shijojmë të gjithë këtë ndeshje futbolli”, ka theksuar Milaim Rama.
Ai thotë se shqiptarët i janë dhe duhet t’i jenë shumë mirënjohës shtetit zviceran.
“Komuniteti shqiptar në Zvicër është shumë i madh. E di që sa herë që luan Zvicra ka përkrahje nga një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve. Tani Kosova luan kundër Zvicrës dhe 90 minutat në fushë do të jenë shumë garues. Është në një mënyrë treni i fundit që Kosova të ketë shansin për kualifikim në Evropian. Është koha e fundit në këtë cikël për të reaguar”.
Rama është i bindur se zviceranët do të largohen nga Prishtina të kënaqur me pritjen që u është bërë.
“Tifozët shqiptarë dinë si të sillen me miqtë. Nuk i harrojnë ata. Zvicrën duhet ta presim si na ka hije. Natyrisht në fushë Kosova do të kërkojë pikët dhe do të angazhohet maksimalisht. Por, pritja para ndeshjes besoj se do të jetë e duhura dhe e denjë për ne shqiptarët. Jam i sigurt që zviceranët do të largohen nga Prishtina të kënaqur me pritjen që u është bërë”, ka theksuar Milaim Rama.
Në mars të vitit të kaluar Zvicra e Kosova kishin luajtur miqësore në Zuerich. Ndeshja kishte përfunduar 1:1. Tani ndeshja është garuese dhe atmosfera do të dallojë nga ajo në Zvicër.