Të premten është tërhequr shorti për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, pjesë e të cilit ishte edhe kampioni i Kosovës, Ballkani. Ballkani ishte në mesin e 32 skuadrave të përfshira në short, të cilat ishin të vendosura në katër vazo në bazë të koeficientit që e kishin. Ballkani për edicionin e dytë rresht do të luaj në këtë garë, ndërsa nuk pati short të lehtë. Është pjesë e Grupit C, së bashku me skuadrat si Dinamo Zagreb, Viktoria Plzen e Astana. Të tria këto skuadra kanë përvojë shumë më të madhe se Ballkani në Evropë, ndonëse për herën e parë po paraqiten në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kryesisht, kanë luajtur në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Më poshtë, po paraqesim historinë e kundërshtarëve të Ballkanit.
Dinamo Zagreb
Skuadra e madhe nga Kroacia, padyshim se mbetet kundërshtari më i fortë dhe favoriti kryesor për vendin e parë në Grupin C. Është ekipi më i suksesshëm në Kroaci dhe gëzon respekt të madh në Evropë. Ka fituar 24 tituj kampioni të Kroacisë, 16 kupa dhe 7 Superkupa. Ndeshjet si vendas i luan në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit, që ka një kapacitet prej 35,123 ulësesh. Në garat evropiane, Dinamo për herë të parë ka debutuar në edicionin 1958/59, që atëbotë njihej si European Cup. Kjo është hera e parë për Dinamon që paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kryesisht ka luajtur në grupet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Ka 8 paraqitje në fazën e grupeve të Championsit, të fundit edicionin e shkuar. Ndërkohë, në Ligën e Evropës ka luajtur 10 herë në grupe, të fundit në edicionin 2021/22. Madje, në edicionin 2018/19 arriti deri në 1/8 e finales të kësaj gare.
Viktoria Plzen
Viktoria Plzeni është një ekip tjetër i njohur dhe tejet i suksesshëm në futbollin e Çekisë. Edicionin e shkuar, Plzeni doli i tretë në kampionat ndërsa ka 6 tituj kampioni të fituar. Për herë të parë, kampion i Çekisë doli në vitin 2011 ndërsa të fundit, në vitin 2022. Ka edhe një kupë dhe dy Superkupa të fituara të Çekisë. Në garat e UEFA-s, Plzeni ka debutuar në edicionin 1971/72. Edhe për Plzenin, ky edicion është i pari që paraqitet në Ligën e Konferencës. Prej edicionit 2010/11 rregullisht merr pjesë në raundet kualifikuese të garave të UEFA-s. Është paraqitur pesë herë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, për herë të fundit edicionin e shkuar kur ishte në një grup me Bayern Munichun, Interin dhe Barcelonën. Katër herë ka luajtur në fazën grupore të Ligës së Evropës, ndërsa në tri raste ka arritur deri në 1/8 e finales. Ndeshjet si vendas, Plzeni i luan në stadiumin “Doosan Arena” me kapacitet prej 11,722 ulësesh.
Astana
Edhe Astana është një ekip i suksesshëm në Kazakistan. Ka fituar shtatë tituj kampioni që është rekord i këtij vendi, si dhe ka tri kupa e gjashtë Superkupa. Ndeshjet si vendës i luan në stadiumin “Astana Arena” që ka një kapacitet prej 30,254 ulësesh. Në edicionin 2003/04 është paraqitur në garat evropiane, saktësisht në kualifikimet e Ligës së Evropës (UEFA Cup), garë në të cilën ka siguruar katër herë pjesëmarrjen në grupe. Astana në katër edicione rresht (2016 – 2020) ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ku vetëm në një rast e ka kaluar atë. Ndërkohë, sa i përket Ligës së Kampionëve, Astana për herë të parë është paraqitur në rundet kualifikuese në edicionin 2007/08, ndërsa vetëm një herë ishte pjesë e fazës së grupeve – 2015/16.