Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, të martën ka udhëtuar për në Hungari. Ballkani të enjten ka ndeshje evropiane, por jo ndaj ndonjë skuadre hungareze. Në Mezokovesd të Hungarisë, Ballkani luan me skuadrën me nam nga Bjellorusia, BATE Borisov.
BATE detyrohet të luajë në terren neutral, pasi UEFA nuk lejon skuadrat dhe përfaqësueset bjelloruse të luajnë në territorin e tyre, për shkak të përfshirjes së Bjellorusisë në pushtimin rus të Ukrainës.
BATE ka zgjedhur Hungarinë dhe Mezokovesdin, ndërsa ndeshja do të luhet pa praninë e shikuesve. Fakti që ndeshja luhet në terren neutral dhe pa praninë e shikuesve shkon në favor të Ballkanit. Ekipi suharekas për në Hungari ka udhëtuar me synim për ta kaluar BATE-n dhe kështu të kualifikohet në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Ndeshjen e parë të fazës së plejofit, Ballkani e fitoi 4:1, të enjten e kaluar në Prishtinë. Kështu skuadra suharekase është në pozitë të mirë para ndeshjes së kthimit. Por te Ballkani kanë tërhequr vërejtjen se kualifikimi nuk është arritur ende dhe se i presin edhe 90 minuta vendimtarë.
Liga e Konferencës është gara e tretë evropiane për BATE-n këtë edicion. Nisi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. E kaloi Partizanin e Tiranës. Ndeshja në Tiranë përfundoi 1:1, ndërsa ndeshja e dytë 2:0 për BATE Borisovin. Në fakt skuadra tiranase ka dominuar plotësisht në ndeshjen e dytë. Ka rreshtuar rastet dhe ka mbajtur thuajse në gol BATE Borisovin. Por skuadra bjelloruse shfrytëzoi dy kundërsulmet e vetme dhe shënoi fitore 2:0.
Në raundin e dytë kualifikues të Championsit, BATE Borisovi u eliminua nga Aris Limassoli i Qipros. Humbi 6:2 në udhëtim dhe 5:3 si vendas. Kështu, skuadra bjelloruse u bart në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Humbi 5:1 në udhëtim te Sheriff Tiraspoli i Moldavisë dhe barazoi 2:2 në shtëpi. Pasi u eliminua nga Liga e Evropës, u bart në plejofin e Ligës së Konferencës. Dhe vazhdoi me humbje – 4:1 në Prishtinë.
Ndeshje të kampionatit bjellorus, BATE nuk ka luajtur që nga 6 korriku, kur fitoi 2:0 ndaj Shakhtyor Soligarsk. Derisa disa skuadra bjelloruse kanë nga 18 ndeshje kampionale, BATE i ka vetëm 14. Kjo dëshmon që skuadra është e fokusuar plotësisht në skenën evropiane, ndonëse aktualisht po ka rezultate dëshpëruese.
Në fazën grupore të garave evropiane, BATE së fundi u paraqit në edicionin 2018/19. Ishte në fazën grupore të Ligës së Evropës, ndërsa në grup e kishte Arsenalin. Disa vjet rresht ka luajtur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, së fundi në edicionin 2015/16. Ishte në grup me Barcelonën, Bayer Leverkusenin dhe Romën.
Titullin e fundit të Bjellorusisë e ka fituar në vitin 2018. Ndërkohë Kupën e fundit, kundërshtari i së enjtes i Ballkanit e ka fituar në vitin 2021. Vjet ishte në finale të Kupës dhe i treti në kampionat.
Ballkani vjet debutoi në Evropë dhe arriti deri në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Tani është në prag të një faze tjetër grupore në Ligën e Konferencës.