Sport

Ndonëse pas një humbjeje dëshpëruese, Kosova do të ketë përkrahje të madhe ndaj Zvicrës

Kosova tashmë është me gjasa fare të vogla për kualifikim në “Euro 2024”. Ka vetëm tri pikë nga katër ndeshje, ndërsa renditet e parafundit (5) në grup. Prapa e lë vetëm Andorrën. Për më tepër, në ndeshjen e fundit Kosova pësoi humbje dëshpëruese. U mposht 2:1 nga Bjellorusia në Budapest të Hungarisë, më 19 qershor. Ajo humbje solli largimin e përzgjedhësit Alain Giresse.

Po ashtu forma e lojtarëve të Kosovës nuk është e mirë në prag të ndeshjeve të shtatorit. Shumë prej titullarëve nuk po luajnë e disa nuk janë në moment të mirë në skuadrat e tyre. Por, përfaqësuesja vazhdon të ketë përkrahje të madhe në Kosovë. Ky vlerësim mbështetet në shitjen e shpejtë të biletave për ndeshjen me Zvicrën, që zhvillohet më 9 shtator në “Fadil Vokrri”.

Federata e Futbollit e Kosovës të martën nxori në shitje biletat për ndeshjen me Zvicrën. Faqja përmes të cilës u shitën biletat u bllokua për një kohë. Ndërkohë pasdite nuk kishte bileta në shitje në faqen që e përzgjodhi FFK-ja.

Rrjedhimisht stadiumi do të jetë i mbushur me shikues për ndeshjen e 9 shtatorit. Zvicra është favorite e madhe, por Kosova synon kthimin në rrugën e sukseseve. Ndeshja ka peshë edhe më të madhe për faktin se liderë të Zvicrës janë Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Ndonjë shqiptar tjetër mund të ftohet po ashtu.

“Janë shitur brenda pak orëve të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese për ‘Euro 2024’ ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e cila zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Edhe kësaj radhe interesimi i tifozëve për të siguruar një biletë për ndeshjen e Dardanëve ka qenë i madh, derisa të gjitha biletat janë shitur përmes platformës ‘online’. Ky interesim i madh nga tifozët është një shenjë e fortë e përkrahjes së fuqishme ndaj Kombëtares së Kosovës. FFK falënderon të gjithë opinionin për këtë mbështetje që i jep ekipit kombëtar dhe i inkurajon ata që nuk kanë arritur të sigurojnë bileta për këtë ndeshje që të vazhdojnë ta mbështesin Kombëtaren me zemër. Njëherësh FFK shpreh keqardhje për të gjithë ata që kësaj radhe nuk kanë arritur të sigurojnë bileta dhe kërkon mirëkuptimin e tyre, duke shpresuar që do të kënaqen me lojën dhe rezultatin e favorshëm të Dardanëve në ndeshjet e shtatorit”, shkruan në një postim të FFK-së.

Më herët kur interesimi për Kosovën ishte në kulm, ka pasur akuza se FFK-ja nuk ka nxjerrë në shitje të gjitha biletat. Madje njerëz që atëbotë ishin në FFK kanë akuzuar se federata ka nxjerrë vetëm një pjesë të biletave në shitje, ndërsa një pjesë të konsiderueshme e ka ndarë në forma tjera.

Zvicra është kundërshtari më atraktiv në grup dhe rrjedhimisht interesimi është më i madh. Prania e shqiptarëve në Zvicër e bën edhe më tërheqëse sfidën e 9 shtatorit.

Sa u takon lojtarëve të Kosovës, pak prej tyre janë në moment të mirë. Amir Rrahmani, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Leart Paqarada e Florent Muslija janë prej lojtarëve që po kalojnë moment të mirë me skuadrat e tyre. Vedat Muriqi së fundi ka humbur dy penallti dhe nuk ka shënuar gol në tri ndeshjet e para. Të tjerë si Arbër Zeneli e Valon Berisha janë në kërkim të skuadrave të reja. Elbasan Rashani është i lënduar, ndërsa portierët janë rezervistë në skuadrat e tyre.

Tani Kosovën e drejton slloveni Primozh Gliha, që është pjesë e FFK-së për dy vjet. Nuk përjashtohet mundësia që Gliha të ftojë emra të rinj. Presioni për ftesa të disa lojtarëve sa shkon e rritet, ndërsa dora e Glihës mund të vërehet që me rastin e publikimit të listës. FFK-ja nuk ka njoftuar ende se kur do ta publikojë listën. Por, tashmë është e qartë që kushdo që luan më 9 shtator do të ketë përkrahje të madhe nga tribunat.