Sport

Berisha në radarin e Dortmundit, transferimi për 15 milionë euro

Borussia Dortmund është në kërkim të një sulmuesi. Dhe Mërgim Berisha tashmë është në radarin e skuadrës së madhe gjermane.

Kështu të paktën ka raportuar “Sky Sport Germany” të hënën.

“Edhe për shkak se Sebastian Haller do të mungojë për disa javë për shkak të Kupës së Afrikës në dimër, Borussia Dortmundi edhe po shikon të forcohet në vijën e parë të sulmit. Sipas burimeve të Sky, Mërgim Berisha i Augsburgut tani është në listën e Borussia Dortmundit. Augsburgu nuk e fsheh faktin që Berisha ende mund të largohet nga klubi. Berisha mund të largohet nga Augsburgu për më shumë se 15 milionë euro. Bisedimet kanë nisur sot dhe zhvillime tjera priten”, ka shkruar “Sky Sport Germany” të hënën.

Berisha shënoi nëntë gola dhe kontribuoi me katër asistime në 23 paraqitje kampionale edicionin e kaluar. 25-vjeçari po ashtu debutoi për përfaqësuesen e Gjermanisë në muajin mars. Bashkëlojtari i Berishës, Ermedin Demiroviq, po ashtu është lidhur me një kalim te Dortmundi. Por, transferimi i Demiroviqit nuk është momentalisht aktual sa ai i Berishës.

Augsburgu e bleu këtë verë Berishën nga Fenerbahçe, por me synim për ta shitur më shtrenjtë. Edicionin e kaluar kosovari luajti huazim te skuadra e Bundesligës gjermane. Tek Augsburgu kaloi për shkak të telasheve me hapësirë te skuadra turke.

Më herët Berisha ka luajtur për Red Bull Salzburgun, ku u zhvillua, si dhe te Magdeburgu e Altachu në formë huazimi. Me U21 të Gjermanisë ka luajtur 13 ndeshje dhe ka shënuar një gol.

Këtë edicion startoi në dy ndeshjet e para të Augsburgut, por pa realizuar gol.

Dortmundi është prej skuadrave më të mëdha në Bundesligë. Edicionin e kaluar e humbi në fund garën për titull nga Bayerni. Titullin e synon edhe në edicionin e ri. Borussia Dortmundi fitoi 1:0 në xhiron e parë të kampionatit gjerman, para se të barazonte 1:1 me Bochumin.