Fushë-Kosova pësoi disfatë të thellë 6:1 nga Malisheva fundjavën e shkuar. Por te skuadra e rikthyer në Superligën e Kosovës në futboll pas nëntë vjetësh, synojnë ta befasojnë Llapin e drejtuar nga Tahir Batatina. Ndeshja Fushë-Kosova-Llapi luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, nga ora 16:00. Fushë-Kosova është vendëse. Ajo nuk mund t’i luajë ndeshjet në Fushë-Kosovë për shkak se stadiumi tyre nuk i plotëson kriteret për Superligë.
Trajneri i Fushë-Kosovës, Burim Shala, e vlerëson kundërshtar të fortë Llapin. Por ai insiston se është momenti i duhur për ta shënuar fitoren e parë.
“Llapi është një kundërshtar i fortë me ekip goxha të përforcuar në afatin kalimtar. Por synimi ynë i vetëm është arritja e fitores së parë në Superligë. Jemi përgatitur maksimalisht që në ndeshjen kundër Llapit t’i fitojmë pikët e plota. Besoj që është momenti i duhur. Është koha e duhur t’i fitojmë pikët e plota”, ka thënë Shala.
Stadiumi në Lipjan nuk është i panjohur për Llapin. Edhe vetë ka stërvitur e, po ashtu, ka luajtur edhe ndeshje.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, respekton ekipin e Fushë-Kosovës. Ai ka qenë i matur në deklarata.
“Çdo ndeshje e ka rëndësinë e vet. Fushë-Kosova ka skuadër të mirë dhe një grup lojtarësh që siguruan kalimin në Superligë dhe duhet respektuar maksimalisht. Ne do të mundohemi ta japim më të mirën nga vetja si skuadër, por na pret një ndeshje e vështirë sepse kemi zhvilluar dy ndeshje kontrolluese dhe Fushë-Kosova ka organizim të mirë të lojës. Por ne do t’i qasemi lojës me seriozitetin më të madh”, ka thënë Batatina.
Fushë-Kosova nuk luajti në ndeshjen e parë. Ndeshjen kundër Gjilanit do ta luajë në një termin tjetër.
Ndërkohë Llapi ka shënuar fitore 3:0 në fundjavë kundër Dukagjinit. Humbi ndeshjen e parë nga Drita me shifrat 2:0.
Të dielën do të luhet edhe ndeshja tjetër në mes të Dukagjinit dhe Lirisë. Kjo ndeshje luhet në Klinë, kurse Drita-Ballkani është shtyrë me kërkesë të kampionit të Kosovës për shkak të angazhimit në garat evropiane. Ballkani fitoi të enjten ndeshjen e parë të plejofit në Prishtinë ndaj BATE Borisovit të Bjellorusisë me shifrat 4:1. Ndeshjen kthyese e luan më 31 gusht në Hungari.