Kampionati Botëror në basketboll ka nisur të premten, ndërsa rekordi i parë tashmë është vendosur. Pasi u konfirmuan të gjitha ekipet, u bë e ditur se plot 55 lojtarë të NBA-së do të jenë pjesë e Botërorit që mbahet deri më 10 shtator. Numri prej 55 basketbollistëve të NBA-së është rekord, ka njoftuar FIBA të premten.
Këta lojtarë janë të 20 vendeve të ndryshme, ndërsa kalohet rekordi prej 54 lojtarëve nga 17 vende që ishin në Botërorin e kaluar të mbajtur në vitin 2019. Në Kupën e Botës në Spanjë, në vitin 2014, morën pjesë 45 lojtarë të NBA-së, ligës më të fortë të basketbollit në botë.
Natyrisht, SHBA-ja ka numrin më të madh të lojtarëve në NBA. Të gjithë 12 basketbollistët e SHBA-së janë pjesë e NBA-së. Australia i ka në përbërje nëntë lojtarë që aktualisht janë pjesë e klubeve të NBA-së. Pasojnë Kanadaja me shtatë, Gjermania me katër dhe Franca e Serbia me nga tre lojtarë të NBA-së.
24 skuadra të NBA-së përfaqësohen në Kupën e Botës në basketboll. Katër ekipe të NBA-së i kanë nga pesë lojtarë në Botëror: Minnesota Timberwolves, Orlando Magic, Oklahoma City Thunder dhe Utah Jazz.
Ekipet përfaqësuese kanë në përbërje dhjetë lojtarë që kanë luajtur në NBA All-Stars: Luka Donçiq (Slloveni), Anthony Edwards (SHBA), Shai Gilgeous-Alexander (Kanada), Rudy Gobert (Francë), Tyrese Haliburton (SHBA), Brandon Ingram (SHBA), Jaren Jackson Jr. (SHBA), Lauri Markkanen (Finlandë), Karl-Anthony Towns (Republika Dominikane), Nikola Vuçeviq (Mali i Zi).
Jaren Jackson është zgjedhur lojtari më mirë mbrojtës në NBA për vitin 2023, ndërsa Paolo Banchero (SHBA) ishte “rookie” i vitit 2023 në NBA.
Botërori i basketbollit po mbahet në Filipine, Japoni dhe Indonezi. Për herë të dytë marrin pjesë 32 përfaqësuese.
Kampione në fuqi është Spanja. SHBA-ja po vlerësohet favorite e madhe, ndonëse nuk ka në përbërje yjet më të mëdha të NBA-së. SHBA-ja është pjesë e Grupit C së bashku me Jordaninë, Greqinë dhe Zelandën e Re. Ndeshjen e parë e luan të shtunën ndaj Zelandës së Re.