Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i është nënshtruar një “operimi urgjent” për një problem me shpinën dhe nuk pritet të marrë drejtimin e skuadrës për rreth një muaj, tha klubi anglez të martën. City tha se Guardiola ka vuajtur me dhimbje të forta në shpinë për disa kohë dhe vendosi të operohet në Barcelonë, ku do të kalojë kohën duke u rikuperuar. Operacioni i trajnerit spanjoll ishte i suksesshëm, tha klubi. Ndihmësi i tij, Juanma Lillo, do të marrë ndërkohë detyrat e Guardiolas.
“Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka kryer me sukses një operim urgjent për shkak të dhimbjeve të forta në shpinë. Pep tani do të shërohet dhe rehabilitohet në Barcelonë. Në mungesë të tij, ndihmësi Juanma Lillo do ta mbikëqyrë stërvitjen e ekipit të parë në fushën e stërvitjes dhe do të marrë detyrat në ndeshje deri në kthimin e Guardiolas. Pep pritet të kthehet pas pushimit të ardhshëm ndërkombëtar. Të gjithë në Manchester City i urojnë Pepes shërim të shpejtë dhe mezi presin ta shohin atë së shpejti në Manchester”, thuhej në njoftimin e kampionit të Anglisë.
City ka ndeshje në kuadër të Premier League, ku në dy xhirot e ardhshme do të përballet me Sheffield Unitedin dhe Fulhamitn, përpara se edicioni i klubeve të ndalet për dy javë shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare. Kështu që, pas këtyre ndeshjeve Guardiola pritet të jetë në krye të Cityt. Ndeshja e tij e parë pas kthimit është në kampionat, ku City do të luajë kundër West Ham Unitedin më 16 shtator. Ndërkohë, mesjavën e ardhshme do të fillojë faza e grupeve të Ligës së Kampionëve, ku City synon ta mbrojë trofeun e fituar edicionin e shkuar, i cili ishte i pari në histori të klubit. City edicionin në Premier League e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Në dy ndeshje të luajtura deri tani i ka tubuar gjashtë pikë. Në xhiron e parë mposhti Burnleyn me rezultatin 3:0, ndërsa në të dytën triumfoi me shifrat 1:0 kundër Newcastle Unitedit. 57-vjeçari Lillo është në detyrën e tij të dytë si asistent i Guardiolas te skuadra e Cityt. Ai këtë pozitë e ka mbajtur nga vitit 2020 deri në vitin 2022, pasi iu bashkua nga Qingdao Huanghai në Kinë. Ai u largua në qershor 2022 për të marrë një pozicion si trajner në Al-Sadd në Katar. Lillo ishte më parë trajner i Guardiolës kur të dy ishin në Meksikë te skuadra Dorados.