Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se do të jetë e pamundur të përsëritet suksesi i edicionit të kaluar, fitimi i tripletës.
City, edicionin 2022/23, e mbylli me “hat-trick” të trofeve.
Këtë edicion të Premier Leagues e nis të premten me Burnleyn e portierit të Kosovës, Arijanet Muriq. Ndeshja Burnley – Manchester City nis nga ora 21:00.
“Ndodh një herë në jetë”, ka thënë Guardiola të enjten. “Do të jetë e pamundur të bëjmë atë çfarë bëmë në sezonin e kaluar”, theksoi Guardiola.
City synon që të bëhet skuadra e parë në histori që e fiton katër tituj rresht në elitën e futbollit të Anglisë.
Por, Guardiola ka thënë se triumfi në ligë, Ligën e Kampionëve dhe Kupën FA, do të jetë shumë e vështirë. City në këtë edicion në radhët e veta do të ketë edhe Joshko Gvardiolin dhe Mateo Kovaçiqin. Të premten mbrëma luan kundër skuadrës që për trajner ka ish-kapitenin, Vincent Kompanyn.
City ditë më parë u mposht në penallti nga Arsenali në Community Shield, që është Superkupa e Anglisë. 1:1 ishte mbyllur koha e rregullt, ndërsa në penallti triumfuan “revolveristët”, 4:1.