Leon Avdullahu ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Ai nga ekipi U21 i klubit të madh zviceran, Basel, është “graduar” në ekipin e parë.
Kjo është bërë e ditur të premten në faqen zyrtare të Baselit. Me ekipin U21 të Baselit, Avdullahu ka luajtur në kategorinë e tretë të Zvicrës. Me U18 të Baselit, Avdullahu kishte fituar titullin e kampionit të Zvicrës.
Avdullahu është 19-vjeçar dhe luan kryesisht si mesfushor defansiv.
Është i lindur në Solothurn të Zvicrës, por është nga Kosova.
Ai kishte kaluar nga skuadra Solothurn te Baseli në verën e vitit 2018. Prej atëherë ka kaluar të gjitha grupmoshat te Baseli, klub prej të cilin dalin shumë futbollistë cilësorë shqiptarë.
“Në përgatitjet për kampionatin e ri, mesfushori ka startuar në miqësoret ndaj CSKA Sofjes, Vaduzit dhe Benficas. Ai po ashtu ka kompletuar numër të konsiderueshëm ndeshjesh me përfaqësueset e reja të Zvicrës”, ka shkruar Baseli në njoftim.
Avdullahu aktualisht është pjesë e U19 të Zvicrës. Për këtë grupmoshë i ka pesë ndeshje. Katër ndeshje e një gol i ka për U18 të Zvicrës. Ka luajtur edhe për U16 dhe U15.
Te Baseli janë zhvilluar Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, dy prej futbollistëve më të mirë shqiptarë. Por Baseli ishte shtëpi edhe për dhjetëra futbollistë të tjerë shqiptarë.
Aktualisht Taulant Xhaka është njëri prej lojtarëve më me përvojë te Baseli. Ai vlerësohet lider i mesfushës. Avdullahu mund të luajë përkrah tij. I parashikohet e ardhme e ndritur në futboll.
Kampionati 2023/2024 në Zvicër fillon të shtunën. Baseli në xhiron e parë është mysafir i St. Gallenit. Baseli pritet të luftojë për titull të kampionit.