Sport

Volejboll, Kosova U19 pëson 3:0 nga Bullgaria

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në volejboll e ka humbur edhe ndeshjen e dytë në kuadër të Kampionatit Ballkanik për vajza.

Të mërkurën pasdite, Kosova U19 u takua me Bullgarinë U19 dhe pësoi 3:0 në sete. Loja e vajzave të Kosovës ka shkuar duke u përmirësuar, por jo mjaftueshëm sa për të fituar ndonjë set.

Setin e parë bullgaret e fituan 25:13. Në setin e dytë Bullgaria fitoi 25:16, ndërsa seti i tretë përfundoi 26:24. Madje në setin e tretë për kohë të gjatë Kosova ishte në avantazh. Por në momentet vendimtare, bullgaret kaluan para dhe fituan ndeshjen.

Më herët Kosova pësoi edhe nga Mali i Zi.

Kampionati Ballkanik po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Ndërkohë volejbollistët e Kosovës U19 po paraqiten në Ballkanikun në Tiranë. Të martën e humbën thellë ndeshjen e parë, ndërsa të dytën e kanë të enjten.