Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon angazhimin për të afruar në ekipet përfaqësuese lojtarët që zhvillohen në vendet evropiane. Të hënën në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali ka nisur kampi pesëditor me futbollistët nga diaspora. Bëhet fjalë për lojtarë të grupmoshave U15, U16 dhe U17.
Për rëndësinë e kampeve të tilla ka folur kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Ai është shprehur i lumtur që futbollistët e talentuar nga vende të ndryshme kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë në këtë projekt.
“Ne e kemi Kosovën si shtetin më të ri të Evropës dhe duam ta lartësojmë sa më shumë. Federata beson në ju dhe uron që ju ta ngritni Kosovën sa më lart. Sot është privilegj ta bartësh uniformën e shtetit tonë, i cili u bë me shumë sakrificë të të gjithëve dhe po zhvillohet me dashurinë dhe mbështetjen e miqve tanë, diasporës sonë të vyeshme dhe popullit të Kosovës me shumë dinjitet”, ka thënë Agim Ademi.
FFK-ja synon që të shfrytëzojë ardhjen e shumë bashkëkombësve për pushime në Kosovë dhe t’u mundësojë lojtarëve të talentuar të shfaqin potencialin. Vlerësimin e futbollistëve të rinj e bëjnë trajnerët e ekipeve përfaqësuese.
Në ditën e parë të kampit të pranishëm ishin rreth 30 të rinj.