Hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës do të përballen me Sllovakinë në fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2025. Shorti është tërhequr të mërkurën në Vjenë.
Ndeshjet e raundit të parë kualifikues për Kampionatin Botëror të vitit 2025 zhvillohen më 1/2 dhe 4/5 nëntor. Në ndeshjen e parë Sllovakia është vendase, ndërsa “Dardanët” janë vendas në ndeshjen e dytë.
Në fazën e parë kualifikuese paraqiten dhjetë shtete. Luksemburgu – Izraeli, Britania e Madhe – Finlanda, Letonia – Estonia, Turqia – Italia janë çiftet tjera. Federata e Hendbollit e Kosovës e ka cilësuar si të vështirë shortin. Por pritjet janë që Kosova të kaloj në fazën e dytë.
Ndërkohë, hendbollistët e Kosovës të mërkurën kanë mësuar edhe kundërshtarin e parë në kualifikimet për Euro 2026. Kështu Kosova përballet me Britaninë e Madhe në raundin promovues të kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2026. Ndeshjet janë në janar të vitit të ardhshëm, ndërsa “Dardanët” janë nikoqir në ndeshjen e parë. “Synimi është që të kalohet Britania e Madhe, përkatësisht kalimi në fazën kryesore të kualifikimeve për Evropian”, shkruan në njoftimin e FHK-së.
Letonia – Luksemburgu dhe Belgjika – Qipro janë çiftet tjera të raundit promovues të kualifikimeve për Euro 2026.
