Sport

Dortmundi firmos me Nmechan

Borussia Dortmundi ka njoftuar të hënën mbrëma se ka firmosur me reprezentuesin e Gjermanisë, Felix Nmecha. 22-vjeçari është transferuar nga Wolfsburgu. Mesfushori ka firmosur me Dortmundin kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2028.

“Felix Nmecha është lojtar i shpejtë, i aftë teknikisht dhe fizikisht i fortë. Ai do të forcojë mesfushën tonë si në aspektin ofanziv ashtu edhe në atë defanziv. Ai është shkolluar në Manchester City, ndërsa bëri emër kampionatin e kaluar te Wolfsburgu”, ka thënë drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl.

“Jemi të lumtur që kemi angazhuar një tjetër lojtar të Gjermanisë. Jemi të bindur se zhvillimi i Felixit është larg përfundimit”.

Nmecha kishte tri gola e gjashtë asistime në 30 paraqitje edicionin e kaluar. Te Dortmundi do të mbajë fanellën me numrin tetë.

“Dortmundi është ekip i madh që e kam përcjellë prej se isha fëmijë. Jam i lumtur që jam pjesë e tij dhe që do ta ndihmojë ekipin të arrijë synimet në Bundesligë, Kupë të Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve. Shpresoj që tifozët do të më japin shansin të shfaq veten”, ka thënë Nmecha.

Nmecha këtë vit ka debutuar për Gjermaninë. Më herët ka luajtur për të rinjtë e Gjermanisë dhe të Anglisë. Ka prejardhje nga Nigeria, por është i lindur në Gjermani.