Vukashin Rajkoviq e Marko Makariq vjet refuzuan të përballeshin me garuesit e Kosovës në Kampionatin Ballkanik në volejbollin në rërë. Nuk është njoftuar të jenë gjobitur për atë veprim plotësisht antisportiv. KOHA ka pyetur disa herë Asociacionin Ballkanik të Volejbollit, por nuk kamarrë përgjigje.
Rajkoviq e Makariq sërish kanë përfaqësuar Serbinë në Kampionatin Ballkanik në volejboll në rërë, që të shtunën e të dielën u zhvillua në Balikesir të Turqisë. Dhe sërish është dashur të përballeshin me ekipin e Kosovës, që përbëhej nga Ermal Maliqi e Erion Bajrami.
Garuesit me qëndrim plotësisht antisportiv të Serbisë, sërish kanë refuzuar të dalin në arenë dhe të përballen me garuesit e Kosovës. Kështu Rajkoviq e Makariq janë eliminuar, përkatësisht kanë përfunduar në vendin e shtatë. Ndërkohë dyshja kosovare ka avancuar tutje.
“Rajkoviq dhe Makariq pa luftë janë plasuar në raundin e tretë. Dy reprezentuesit serbë, me short, në duelin e radhës është dashur të luanin me dyshen e të ashtuquajturës Kosovë. Kanë hequr dorë nga garimi i mëtejmë dhe në plasmanin përfundimtar kanë zënë vendin e shtatë”, ka njoftuar Federata e Volejbollit e Serbisë.
Dyshja e Kosovës doli në fushë dhe priti dhjetëra minuta. Pasi kuptuan se serbët nuk do të dalin për t’u përballur, volejbollistët kosovarë së bashku me trajnerin e tyre bënë disa fotografi me flamur të Kosovës dhe me shqiponjën dykrenore. Festuan në këtë mënyrë.
“Bajrami e Maliqi nga tri ndeshje të luajtura kanë regjistruar dy fitore dhe një humbje. Në përballjen e katërt vazhduan tutje pa lojë, pasi Serbia nuk u shfaq fare në fushë për duel”, ka njoftuar Federata e Volejbollit e Kosovës.
Dy garuesit e Kosovës u mposhtën më pas në çerekfinale. Pësuan nga ekipi përfaqësues i Moldavisë.
Volejbollistët serbë vjet kanë dhënë intervista të shumta për veprimin antisportiv për të cilin mbetën pa u dënuar. Ndërkohë të dielën mediume në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi e vende të tjera të rajonit kanë shkruar për veprimin jo të zakonshëm të garuesve serbë. Po ashtu kanë shkruar për fotografinë me shqiponjë dhe me flamur të ekipit të Kosovës.
Pasi garat ballkanike nuk kanë ndonjë peshë të madhe, ka gjasa që garuesit serbë sërish të shpëtojnë pa u dënuar.
Në Ballkanik është paraqitur edhe një ekip i volejbollisteve të Kosovës. Rrugëtimi i volejbollisteve ishte më i shkurtër.