Kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, i bëri thirrje ekipit të tij të martën që të korrigjojë gabimet dhe të kalojë zhgënjimin e Ligës së Kombeve të vitit 2019, duke fituar edicionin e tretë të garës evropiane. Turneu final i edicionit të tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s zhvillohet këtë javë në Holandë.
Trofeu i vetëm ndërkombëtar i Holandës u fitua në vitin 1988, kur “tulipanët” ngadhënjyen në Kampionatin Evropian.
Holanda arriti në finalen e Kupës së Botës në vitin 2010, ku u mposht nga Spanja. Në vitin 2019 humbi 1:0 nga Portugalia në finalen inauguruese të Ligës së Kombeve. Pasi Franca mundi Spanjën për të triumfuar në vitin 2021, në edicionin e dytë, Holanda ka një tjetër shans për të shijuar suksesin ndërkombëtar. Holanda fillimisht përballet me Kroacinë në gjysmëfinalen e parë, të mërkurën prej orës 20:45 në Roterdam.
“Ne po luajmë për trofe dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne edicionin e parë të Ligës së Kombeve, kur arritëm në finale nuk ishim të vetëdijshëm se mund të fitonim trofe dhe për këtë arsye pësuam. Tani, nuk duam të bëjmë gabimin e njëjtë”, është shprehur Van Dijk.
Mbrojtësi i Liverpoolit ka insistuar se Holanda, që arriti deri në çerekfinale të Botërorit “Katari 2022” në dhjetor, duhet të përmirësohet. Për ta bërë këtë duhet ta eliminojë Kroacinë dhe pastaj të triumfoj në Ligën e Kombeve. Holanda llogarit edhe në përkrahjen e madhe të tifozëve.
“Duhet të luajmë shumë më mirë se në Katar, pasi dua ta fitoj këtë trofe. Dua të jemi të parët në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Megjithatë nuk do të jetë lehtë për shkak se përballë kemi Kroacinë, ekip i vështirë për t’u mposhtur”, tha Van Dijk.
Kroacia doli nënkampione e Botërorit “Rusia 2018” dhe përfundoi e treta në Katar. Përfaqësuesja e Luka Modriqit është në kërkim të trofeut të parë. Triumfi në Ligën e Kombeve do të ishte një sukses i madh, pasi do ta kompletonte edhe karrierën fantastike të kapitenit Modriq.
37-vjeçari në konferencën për shtyp, të martën, nuk e përjashtoi mundësinë që të tërhiqet nga Kroacia pas Ligës së Kombeve. Megjithatë këtë dëshiron ta bëjë me stil, duke e ngritur trofeun si kapiten i kroatëve.
“Fokusi im është ta ndihmoj ekipin për të triumfuar në Ligën e Kombeve dhe pas kësaj do ta marrë vendimin për të ardhmen time në nivelin ndërkombëtar. Gjithmonë i kam shijuar ndeshjet me Kroacinë dhe këtë herë dua ta shijoj me triumf në Ligën e Kombeve. Jam këtu për ta ndihmuar ekipin dhe do ta bëjë të pamundurën për ta ngritur trofeun”, është shprehur Modriq. “Na pret një ndeshje e vështirë në gjysmëfinale pasi Holanda ka ekip të mirë por edhe në jemi të fortë”.
Holanda do t’i ketë dy mungesa ndaj Kroacisë. Mungojnë Memphis Depay e Matthijs De Ligt, ndërsa kroatët nuk do ta kenë në dispozicion Joshko Gvardiolin.
Në gjysmëfinalen e dytë, të enjten, takohen Spanja e Italia.