Sport

Turneu final i Ligës së Kombeve, mundësi për katër përfaqësueset e përfshira

Duke synuar suksesin e Portugalisë dhe Francës, katër nga përfaqësueset më të forta të Evropës këtë javë luftojnë për të fituar edicionin e tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Holanda mikpritëse përballet me Kroacinë në Roterdam të mërkurën në gjysmëfinalen e parë, ndërsa Spanja dhe Italia takohen në Enschede të enjten, përpara finales të së dielës. Të dy ndeshjet gjysmëfinale nisin në orën 20:45.

Asnjë nga përfaqësueset pjesëmarrëse të “Final Four" nuk kanë fituar trofe për më shumë se një dekadë, përveç Italisë. Megjithatë, kampionia e “Evropianit 2020” ka shumëçka për të dëshmuar, pasi nuk arriti të kualifikohet në kampionatin botëror “Katari 2022”.

Liga e Kombeve filloi si ngjarje në vitin 2018, duke u dhënë përfaqësueseve evropiane ndeshje më të forta në vend të miqësoreve ndërkombëtare. Katër fituesit e grupeve të nivelit më të lartë, Ligës A, kualifikohen në “Final Four”.

Çerekfinalistja e botërorit “Katari 2022”, Holanda, suksesin e fundit e arriti në Evropianin e vitit 1988. Tani holandezët janë të vendosur për triumf në Ligën e Kombeve, ka insistuar selektori Ronald Koeman të martën.

“Ne mund të shkruajmë histori”, tha Koeman. “Gjithmonë ka qenë synimi për një Kampionat Evropian apo një Botëror, por tani është shtuar Liga e Kombeve. Në Holandë ende flitet për suksesin e vitit 1988, kur ishin vetëm tetë ekipe pjesëmarrëse dhe tani jemi gati për sukses në Ligën e Kombeve”.

Koeman ishte në krye kur Holanda humbi nga Portugalia në finalen e parë të Ligës së Kombeve, në vitin 2019. Trajneri, i cili më vonë u largua për të marrë drejtimin e Barcelonës, por u kthye në janar, shpreson që avantazhi i paraqitjes në shtëpi mund ta shtyjë skuadrën holandeze përpara.

“Lojtarët janë të motivuar, sepse luajnë në shtëpi dhe besoj se do të luajmë më mirë si ekip”, u shpreh Koeman. “Sigurisht, Kroacia është një kundërshtar i fortë, por ne kemi synimet tona”.

Holanda doli e para në grupin e katërt të Ligës A, i cili përbëhej edhe nga Belgjika, Polonia e Uellsi. Pozita e parë në grup i mundësoi Holandës të kualifikohet për “Final Four”.

Në rrugën e Holandës qëndron Përfaqësuesja e Kroacisë, që dëshmoi aftësinë dhe cilësinë në kupën e botës “Katari 2022”, duke eliminuar Brazilin favorit dhe duke u renditur e treta në botë. Për disa lojtarë të Kroacisë, duke përfshirë maestron e mesfushës së Real Madridit, Luka Modriq, turneu përfaqëson një nga shanset e fundit për të fituar trofe në nivel ndërkombëtar. Kroacia nuk e ka arritur kurrë këtë.

“Do të ishte fenomenale të fitojmë Ligën e Kombeve dhe të sigurojmë një trofe të rëndësishëm për Kroacinë”, tha sulmuesi, Andrej Kramariq “Për disa prej lojtarëve tanë të vjetër ky duket si një shans i madh për të kompletuar karrierën ndërkombëtare me një trofe”.

Kroacia mundi Francën në Paris për ta fituar Grupin A1. Ka përfunduar gjithashtu përpara Danimarkës dhe Austrisë. Holandës dhe Kroacisë së Zlatko Daliqit do t'i mungojnë mbrojtësit kryesorë për shkak të dëmtimeve. Holanda do të jetë pa Matthijs De Ligtin, ndërsa Kroacia pa Joshko Gvradiolin. Holandës do t’i mungojë edhe sulmuesi Memphis Depay.

Përfaqësuesja e Spanjës doli nënkampione e Ligës së Kombeve në vitin 2021. Në finale u mposht nga Franca. Spanjollët në gjysmëfinale patën eliminuar Italinë, me të cilën do të përballen edhe në gjysmëfinalen e këtij edicioni.

Dy përfaqësueset janë përballur disa herë në skena të mëdha, përfshirë në gjysmëfinale të “Euro 2020”, me Italinë që avancoi tutje me penallti, përpara se ta mposhtte Anglinë në finale. Herën e fundit që Spanja fitoi trofe ishte viti 2012, kur triumfoi në Kampionatin Evropian, ndërsa në finale e mposhti Italinë me rezultatin 4:0.

Skuadra e selektorit Luis de la Fuente arrin në këtë turne nën presion, pas humbjes 2:0 kundër Skocisë në mars në kualifikimet për “Euro 2024”. De La Fuente e zëvendësoi Luis Enriquen, i cili u largua pas eliminimit të Spanjës në 1/8 e finales nga Maroku në Botërorin e mbajtur në Katar. Portieri Unai Simon tha se stili i lojës së Spanjës nuk ka ndryshuar shumë nën urdhrat e De la Fuentes.

“Ne futemi në këtë turne pak a shumë me stilin e njëjtë të lojës që e kishim edhe në Kampionatin Botëror. Si ekip jemi përshtatur në këtë sistem dhe mund të fitojmë kundër Italisë”, është shprehur Simon.

Spanja arriti në “Final Four” nën drejtimin e Luis Enriques duke mposhtur Portugalinë, Zvicrën dhe Çekinë në Grupin A2.

Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, ka thirrur pesë lojtarë të Interit për turne, të cilët i janë bashkuar tashmë përfaqësueses pas finales së Ligës së Kampionëve.

Rodri, i cili shënoi golin e fitores për Manchester Cityn në Stamboll kundër Interit, është pjesë e Spanjës. Pas mungesës në Kupë të Botës, Turneu Final i jep Italisë mundësi tjetër për të dëshmuar veten. Mancini ka thënë se kampanja e Ligës së Kombeve i lejoi të ketë një vështrim në disa nga yjet në zhvillim të vendit, duke përfshirë Giacomo Raspadorin e Napolit dhe Wilfried Gnonton e Leedsit.

“Është kënaqësi për mua që i lë këta të rinj të luajnë në ndeshje të tilla të profilit të lartë”, tha ai. “Duke qenë se ata të luajnë në ndeshje të nivelit të lartë, mendoj se janë të gatshëm ta dëshmojnë veten edhe në këtë skenë”.

Italia fitoi Grupin A3, përpara Gjermanisë, Anglisë dhe Hungarisë.