Sport

Bislimi: Vendimi s’ishte kundër Kosovës, por pro Zvicrës

Vendimin për t’iu bashkuar Zvicrës pas dy paraqitjeve me Kosovën, mesfushori shqiptar Uran Bislimi ka thënë se e ka marrë “jo kundër Kosovës, por pro Zvicrës”.

23-vjeçari, pjesë e Luganos, u ftua nga përzgjedhësi i Zvicrës Murat Yakin për dy ndeshjet e ardhshme të Zvicrës në eliminatoret për “Euro 2024”.

Në një deklaratë për “SRF”, Bislimi ka thënë se ka ëndërruar të luajë gjithmonë për Zvicrën.

“Kam lindur në Bazel. Ka qenë ëndërr e fëmijërisë që të luaj për Zvicrën”, ka thënë ai.

Edhe pse luajti për Kosovën, Bislimi tani ka gjasa që të jetë “rival” në fushë. Zvicra do të përballet me Kosovën më 9 shtator sivjet, pasi të dyja janë në një grup.