Mesfushori Uran Bislimi pati dy paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës, në miqësoret kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe. Madje kundër Ishujve Faroe shënoi gol të bukur.
Sidoqoftë, 23-vjeçari Bislimi më pas vendosi t’i bashkohej Përfaqësueses së Zvicrës.
Bislimi është pjesë e skuadrës së Luganos në elitën e futbollit zviceran, ndërsa në 37 paraqitjet e edicionit që tashmë ka përfunduar pati dy gola të shënuar e një asistim.
Gazeta zvicerane “Blick” ka shkruar të shtunën se Bislimi ishte përcjellë për kohë të gjatë nga përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.
Lugano humbi në finale të Kupës së Zvicrës, ndërsa për Bislimin edicioni 2022/2023 ishte i pari në Superligë.
Ai është zhvilluar si futbollist te të rinjtë e Baselit, për të kaluar më pas te Schaffhauseni, që bën gara në rangun e dytë të futbollit zviceran. Nga Schaffhauseni në verën e vitit të kaluar u transferua te Lugano.
Përzgjedhësi Yakin e njeh Bislimin prej kohësh. Përzgjedhësi i helvetikëve madje ka punuar me të, kur ishte trajner i Schaffhausenit.
“Për të gjithë mund të jetë befasi e madhe, por jo për Yakinin”, ka shkruar tutje gazeta zvicerane.
Bislimi golit të parë në Superligën e Zvicrës iu gëzua në tetor të vitit të kaluar, kur skuadra e tij u mposht në udhëtim te Luzerni, 3:1.
Te Përfaqësuesja e Kosovës janë ndarë të pakënaqur me lëvizjen e mesfushorit.
Në muajin mars Bislimi refuzoi t’i bashkohej Kosovës.
“Uran Bislimi ka qenë në listë, është ftuar, ka konfirmuar ardhjen. Për herë të dytë, në dy grumbullimet e fundit, Uran Bislimi e ka refuzuar Kosovën. Mendoj që kjo është hera e fundit që ai ka pasur mundësi ta refuzojë Kosovën, sepse e ka bërë një gjë të tillë edhe në shtator. Kemi treguar mirëkuptim. Ka ardhur në nëntor. Është promovuar në këtë ekip. E ka puthur fanellën e Kosovës kur ka shënuar gol. Dhe tash e ka refuzuar edhe një herë tjetër Kosovën. Dhe nuk e ka refuzuar ai, por e ka refuzuar nëpërmjet klubit. Nuk ka pasur as kaq guxim dhe respekt që ta konfirmojë që nuk do të vijë”, kishte thënë Bajram Shala, menaxher i Përfaqësueses së Kosovës në mars të këtij viti.
Nga ana tjetër, në Zvicër, Bislimi po shihet si lojtar me të ardhme të ndritur.
“Blick” e ka quajtur atë si “xhoker” të përkryer.
“Ai mund të luajë në role të ndryshme. Ka teknikë të mirë dhe vizion të mirë të lojës”, ka thënë drejtori sportiv i Luganos, Carlos Da Silva, kur ka folur për aftësitë e Bislimit.
Lugano tani bëhet me dy reprezentues. Me Bislimin dhe Renato Steffenin kjo skuadër do të ketë dy lojtarë në Përfaqësuese të Zvicrës, për herën e parë që nga miqësorja kundër Suedisë para 22 vjetësh.