Edin Xheko ka shansin të kurorëzojë karrierën me çmimin më të madh në futbollin e klubeve. Por ish-ekipi i tij, Manchester City, qëndron në rrugën drejt një triumfi në Ligën e Kampionëve, të cilin askush nuk do ta besonte kur Xheko nënshkroi për Interin dy vjet më parë.
Tani 37 vjeç dhe në fund të karrierës si sulmues elitar, Xheko ka kaluar një periudhë fantastike tek Interi që kur u transferua nga Roma dy vjet më parë. Ai u soll si një zëvendësues i lirë për Romelu Lukakun, pasi belgu u kthye te Chelsea që shpenzoi shumë para për transferimin e tij. Interi ishte i detyruar ta pranonte ofertën për shkak të problemeve financiare, ndonëse sapo e kishte fituar titullin e kampionit në Serie A. Shtatë gola në ligë në edicionin e gjashtë dhe të fundit të Xhekos në Romë dukej se sinjalizonin fundin e një sulmuesi që ishte ngritur nga një fëmijëri traumatike në Bosnjën e shkatërruar nga lufta për t'u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i vendit të tij dhe një fitues i shumë titujve. Vitet në kryeqytetin italian nuk arritën të jepnin asnjë trofe, pavarësisht se Roma kishte një ekip të fortë me lojtarë si Mohamed Salah, Alisson Becker, Daniele De Rossi dhe ikonën Francesco Totti.
Pika më e lartë ishte padyshim arritja në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2018. Roma u kthye nga disavantazhi prej tre golave për ta eliminuar Barcelonën, në një edicion ku klubi shënoi rekord të golave – 39. Edhe pse Xheko nuk e ka thyer barrierën e 20 golave që kur arriti në gjysmëfinale me Romën, ai konsiderohet kyç nga trajneri i Interit, Simone Inzaghi.
“Edini është një lojtar i madh që ndihmon ekipin si në sulm ashtu edhe në mbrojtje”, tha Inzaghi. “Ai ofron shumë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Nëse do të ishte në dorën time, unë do të rinovoja kontratën e tij”.
Xheko ka shënuar vetëm pesë herë në vitin 2023, por ende mund të jetë titullar në Stamboll për shkak të aftësisë për t'u paraqitur kur ekipi ka më së shumti nevojë. Kjo është arsyeja pse është i preferuari për formacionin fillestar të Simone Inzaghit dhe gjithashtu arsyeja pse ai do të zgjasë qëndrimin e tij në Inter për një edicion tjetër, pavarësisht aftësisë së zvogëluar për të shënuar gola dhe moshës. Xheko humbi titullin e Serie A për dy pikë edicionin e kaluar, por nën drejtimin e Inzaghit shtoi dy Kupa dhe Superkupa të Italisë. Ka tre tituj me fanellën e Manchester Cityt dhe Wolfsburgut, kur shpërtheu në skenën evropiane. Tani ai përballet me ndeshjen më të madhe të jetës, kundër skuadrës që e ndihmoi për t’u shndërruar në fuqinë që është sot. Goli i barazimit i Xhekos kundër Queens Park Rangers në maj të vitit 2012 hapi rrugën për Sergio Agueron që shënoi golin e fitores për t’ia siguruar Cityt titullin e parë të ligës që nga viti 1968.
Suksesi në futboll është shumë larg fëmijërisë së Xhekos gjatë luftës së Bosnjës në një zonë në periferi të Sarajevës, e mbushur me blloqe kullash 30-katëshe, të cilat ishin cak i snajperëve serbë që vrojtonin nga kodrat sipër. Fëmijët në lagjen e tij do të prisnin që të shtënat me armë zjarri të ndaleshin para se të dilnin për të luajtur me top. Një ditë gjatë rrethimit të përgjakshëm të Sarajevës, jeta e Xhekos u shpëtua nga nëna e tij, e cila e ndaloi të dilte për të luajtur me shokët. Shtatë prej tyre do të vriteshin nga një bombë që shpërtheu në fushë.
Kur ai u përzgjodh për të luajtur në radhët e të rinjve në Zhelezniqar, një nga klubet më të mira të Bosnjës, i duhej të stërvitej në një palestër shkolle pasi stadiumi ishte në vijën e parë dhe i mbushur me llogore. Ajo përvojë e rritjes la gjurmë te Xheko, i cili bën punë humanitare për fëmijët e sëmurë në vendin e tij. Angazhohet për humanizëm me gruan e tij, Amra, me të cilën ka katër fëmijë.
“Edin është solidi, i fortë, i qëndrueshëm. Ai ka kaluar shumë në jetë dhe në futboll”, tha babai i tij, Midhadi, kohë më parë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.