As dështimet e kaluara të Manchester Cityt në Evropë dhe as suksesi i klubit në futbollin anglez nuk do të kenë ndonjë ndikim në finalen e Ligës së Kampionëve të së shtunës. Kështu të paktën tha trajneri Pep Guardiola të martën, teksa u kërkoi lojtarëve të tij të përqendroheshin në paraqitjen e tyre.
Guardiola ka fituar pesë tituj të Premier Leagues, dy Kupa FA dhe katër Kupa të Ligës me Cityn. Por suksesi evropian i ka munguar trajnerit që fitoi Championsin dy herë si trajner i Barcelonës. Manchester City nuk e ka fituar kurrë garën elitare të Evropës për klube dhe ka humbur finalen e vitit 2021 nga Chelsea. Por do të jetë favorit për ta mposhtur Interin të shtunën në Stamboll, në tentimin për ta kompletuar tripletën historike. City tashmë ka triumfuar në Premier League dhe Kupën FA.
“Është një ëndërr të jemi në finalen e Championsit. Dy vjet më parë ishim atje, por në një situatë tjetër”, tha Guardiola para finales së Stambollit. “Ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, pasi e dimë se finalja varet nga mënyra se si do të sillemi gjatë 90 minutave specifikë. Nuk ka të bëjë me historinë, ka të bëjë me atë që duhet të bësh në 90 minuta për të qenë më i mirë se kundërshtari. Nuk llogaritet ajo që ke bërë në fazën e grupeve, çerekfinale, Premier League ose FA Cup. Është një ndeshje e vetme”.
Trajneri i Cityt lavdëroi organizimin dhe mbrojtjen e Interit. Skuadra italiane ka pranuar vetëm tre gola gjatë gjashtë ndeshjeve në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve.
“Ajo që ne do të përpiqemi të bëjmë në ditët e ardhshme është të angazhohemi të kuptojmë se si të luajmë kur jemi në vështirësi, pasi nuk është e lehtë të sulmosh sistemin mbrojtës që përdor Interi”, pranoi Guardiola. “Kështu që do të duhet të sjellim shumë ritëm dhe të jemi të durueshëm. Nuk do ta bëjmë me tri ose katër pasime. Duhet të kemi ritmin e duhur. Interi ka një formë të mirë jo vetëm në mënyrën se si mbrohet, por edhe kur avancon në sulm. Ka një proces vërtet të mirë që fillon me portierin Andre Onana, gjë që e bën të vështirë presionin tonë”.
Guardiola shtoi se mbrojtësi i krahut të djathtë, Kyle Walker, i cili u lëndua në fund të fitores ndaj Manchester Unitedit në finalen e Kupës FA, është në dyshim kundër Interit. Ai mund të mungojë për shkak të një problemi në shpinë.
“Dje ai nuk ishte mirë, sot është pak më mirë. Ne nuk duam të rrezikojmë, kështu që do të shohim ditëve në vijim se si po shkon rikuperimi”, tha Guardiola.