Federata e Futbollit e Rumanisë (FRF) duket se ka hequr dorë nga ideja për t’ua ndalur tifozëve rumunë ardhjen në Prishtinë. Kosova e pret Rumaninë më 16 qershor, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Ndeshja luhet në “Fadil Vokrri”.
Të premten, federata rumune doli me disa rekomandime për rumunët që planifikojnë të udhëtojnë në Kosovë. Rekomandimet, sipas njoftimit, janë për gazetarët dhe për tifozët. Ndër të tjera, FRF-ja u ka treguar rumunëve se përmes cilave pika kufitare të hyjnë në Kosovë.
Në fakt rekomandimet i ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë, përmes zyrës në Prishtinë.
Pika e parë e rekomandimit thotë se "situata e sigurisë në Kosovën veriore mund të përkeqësohet në të ardhmen e afërt".
“Për qytetarët rumunë që duan të udhëtojnë në Kosovë, rekomandojmë që hyrja të bëhet në kufirin me Maqedoninë e Veriut (Hani i Elezit) apo me Serbinë (Merdare). Nuk rekomandojmë hyrjen në Kosovë nga Bërnjaku apo Jarinja, pasi mund të bllokohen apo mbyllen nga autoritetet e Kosovës me përkrahjen e trupave të KFOR-it, nëse situata e sigurisë përkeqësohet ndjeshëm. Po ashtu, rekomandojmë tifozët rumunë që gjatë qëndrimit në Kosovë, sidomos në stadium, të mos bëjnë thirrje apo të shfaqin mesazhe politike që mund të sjellin reagim nga tifozët vendas”, shkruan në rekomandimet e autoriteteve rumune, të publikuara të premten nga Federata e Futbollit e Rumanisë.
FRF-ja ka konfirmuar se ka krijuar një grup punues dhe se ka nisur bisedimet me Ministrinë e Punëve të Jashtme lidhur me ndeshjen në Prishtinë. Federata rumune i është drejtuar edhe UEFA-s për sqarime lidhur me ndeshjen e 16 qershorit. Federata rumune ka konfirmuar se deri më tani ndryshimi i vendit ku do të luhet ndeshja nuk është shqyrtuar.
Tri ditë më parë presidenti i Federatës së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu, deklaroi se është i brengosur për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë arsye do të shqyrtohen disa skenarë. Ai kishte theksuar se një prej skenarëve ishte heqja dorë nga përkrahja e tifozëve nga tribunat për ndeshjen në Prishtinë, nëse do të kishte rrezik për tifozët rumunë.
Një ditë më pas reagoi kryetari i FFK-së, Agim Ademi, që premtoi siguri për ekspeditën rumune dhe tifozët e Rumanisë.
Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës, ndërsa më herët ka pasur zëra që të bojkotohen ndeshjet me Kosovën. Nga një ide e tillë u hoq dorë menjëherë, duke marrë parasysh dënimet e rënda të UEFA-s.
Rumania ka fituar dy ndeshjet e para në grup. Ndërkohë Kosova i ka dy barazime. Ndeshja e 16 qershorit do të jetë vendimtare, sidomos për Kosovën.