Sport

Mediat e huaja raportojnë për veprimin kundërthënës të Gjokoviqit

Novak Gjokoviq nuk do të dënohet për veprimin provokues që e bëri në “French Open”, të hënën. Pasi e fitoi meçin e parë, tenisti serb shkroi me stilolaps në kamerë: “Kosova është zemra e Serbisë! Ndaloni dhunën”.

Ka pasur reagime të shumta lidhur me këtë veprim të hënën. Gjokoviq, i njohur edhe për shumë veprime kundërthënëse gjatë karrierës, ka thënë se nuk i bie pishman dhe se do ta bënte të njëjtën gjë sërish.

Të martën kanë reaguar Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Tenisit e Kosovës. Por nga Federata e Tenisit e Francës, që e organizon Grand Slamin “French Open”, kanë thënë se nuk do të ketë masa ndaj Gjokoviqit.

“Federata e Tenisit e Francës nuk do të bëjë asnjë deklaratë dhe nuk do të mbajë asnjë qëndrim për këtë çështje. Nuk ka rregulla të Grand Slamit se çka mund të thotë një lojtar e çka jo”, kanë thënë nga Federata franceze për Reuters.

Mediat e fuqishme ndërkombëtare i kanë kushtuar hapësirë të madhe deklaratës së Gjokoviqit dhe zhvillimeve rreth tij.

“Novak Gjokoviq bëri deklaratë politike për Kosovën pas fitores në raundin e parë të “French Open”, ka shkruar CNN.

“Novak Gjokoviq mbron mesazhin kontrovers për Kosovën në French Open”, është titulli i shkrimit të “The Guardian”.

Sky News ka shkruar se “Gjokoviq dërgoi mesazh politik për Kosovën në ‘French Open’”.

Agjencia e lajmeve AFP ka publikuar një listë të veprimeve kundërthënëse të Gjokoviqit. Lista është goxha e gjatë.

“Serbi Novak Gjokoviq ndez debat politik duke shkruar mesazh anti-Kosovë në kamerën televizive”, është titulli i një prej shkrimeve në “Daily Mail”.

Kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadërgjonaj, ka thënë se Gjokoviq vazhdimisht e provokon Kosovën. Ai ka paralajmëruar ankesë në organizatat ndërkombëtare të tenisit.

Komiteti Olimpik i Kosovës tashmë i është drejtuar me ankesë IOC-së.

“Gjokoviq promovoi sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe përdori platformën sportive për ta bërë këtë”, shkruan në ankesën e KOK-ut.

Por tenisti serb ka mbrojtur veprimin që e bëri, e që natyrisht u përcoll me bujë. Ai është prej sportistëve më të njohur në botë.

“Nuk kam asnjë pendesë, do ta bëja sërish. Kosova është vatër e jona, kala e jona. Atje është bërë beteja më e madhe, atje ndodhen manastiret më të rëndësishme”, ka thënë Gjokoviq, ndër të tjera, në konferencën e mbajtur të hënën.

Gjokoviq është shumë i përcjellë nga mediat e mëdha ndërkombëtare. Dhe nuk përjashtohet mundësia që ai sërish të shfrytëzojë ngjarjet e mëdha për të shprehur ëndrrat e parealizuara serbe dhe për provokime ndaj Kosovës.