Sport

Provokatori Gjokoviq nuk ndalet me deklarata anti-Kosovë

Novak Gjokoviq - tenis

Pasi në ekranin e kamerës e shkroi “Kosova është zemra e Serbisë! Ndaleni Dhunën”, tenisti provokator serb Novak Gjokoviq ka vazhduar me propagandë politike edhe në konferencën pas meçit që e zhvilloi të hënën në “French Open”.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të futet në debate politike, por më pas ka mbajtur një fjalim plotësisht politik me plot të pavërteta.

“Si serb më dhemb shumë kjo që po ndodhë në Kosovë. Njerëzit tanë po dëbohen nga komunat. Më e pakta që mund të bëjë ishte kjo. Ndjehem përgjegjës si person publik dhe djali i një njeriu që ka lindur në Kosovë. Ndjej nevojën të tregoj mbështetje për gjithë Serbinë. Nuk e di se çka sjell e ardhmja për popullin serb dhe Kosovën, por është shumë e nevojshme të tregohet përkrahje”, ka thënë Gjokoviq në konferencën për shtyp.

Ai është pyetur nëse do të dënohet.

“Nuk e di çka do të ndodhë, e di që ka pasur pyetje nga gazetarët ndërkombëtarë se a do të më dënojnë. Nuk kam asnjë pendesë, do ta bëja sërish. Jam kundër luftës dhe konflikteve, këtë e kam treguar gjithnjë. Situata me Kosovën është precedent sipas kartës së OKB-së dhe të gjitha të drejtave. Më vjen keq për situatën në të cilën jemi. Kosova është vatër e jona, kala e jona. Atje është bërë beteja më e madhe, atje ndodhen manastiret më të rëndësishme. Arsyet janë të shumta e sidomos pasi ajo është e vërteta”, ka vazhduar Gjokoviqi me propagandën pro-serbe dhe me ëndrrat serbe që janë larg realitetit.