Jamal Musiala shënoi në minutën e 89-të të ndeshjes për t’ia siguruar Bayern Munichut titullin e Bundesligës. Bayerni u shpall kampion në mënyrë dramatike, pas fitores 2:1 në udhëtim te Koelni, të shtunën.
Dortmundi, që ishte duke udhëhequr me dy pikë më shumë sesa Bayerni para xhiros së fundit, u ndal në barazim 2:2 në shtëpi nga Mainzi dhe mbeti pa titull.
Barazimi i Dortmundit ia mundësoi Bayernit të përfundojë në vendin e parë, për shkak të goldallimit më të mirë.
Dortmundit i duhej fitorja për ta ndalur dominimin dhjetëvjeçar të Bayernit.
Pak pasi e fitoi titullin, Bayerni njoftoi se e ka shkarkuar shefin ekzekutiv Oliver Kahn dhe drejtorin sportiv, Hasan Salihamixhiq.
Të dy ishin në presion të madh prej kur vendosën për shkarkimin e trajnerit Julian Nagelsmann në muajin mars. Ai u zëvendësua nga Thomas Tuchel, pak para ndeshjeve të Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Gjermanisë.
Tuchel tha të premten se edhe titulli i Bundesligës nuk do ta mbulonte edicionin e pasuksesshëm të skuadrës së fuqishme bavareze.
Kahn reagoi në Twitter për shkarkimin. Ai e uroi ekipin dhe tha se do të donte të festonte me lojtarët, por ka shtuar se nuk e pati të mundur për shkak se nuk iu lejua.
Është vetëm hera e tretë që Bayerni arrin ta fitojë titullin në ditën e fundit të edicionit. Në të njëjtën mënyrë ishte më i suksesshëm se Werder Bremeni në vitin 1986 dhe se Bayer Leverkuseni në vitin 2000.
“Mendoj se secili që përcjell futbollin, sidomos në Gjermani, do të thotë se ne nuk e meritojmë titullin dhe e kuptoj sepse pjesa e dytë e sezonit ishte kaotike, në fushë dhe jashtë saj”, ka thënë veterani i Bayernit, Thomas Mueller. “Por ky moment është ende i pabesueshëm për këtë grup. Një moment që do të kujtohet. Është çmenduri”.
Tifozët e Dortmundit nisën festën kur Dejan Ljubiçiq i Koelnit shënoi nga penalltia në minutën e 81-të kundër Bayernit. Por Musiala, që hyri në lojë si zëvendësues, shënoi golin e fitores dhe ia siguroi titullin Bayernit.
Dortmundi e nisi ndeshjen ndaj Mainzit si lider në Bundesligë. Por Kingsley Coman i Bayernit shënoi në minutën e tetë kundër Koelnit, për ta shtuar presionin te Dortmundi që luante në të njëjtën kohë.
Më pas, Sebastien Haller i Dortmundit pati mundësi të shënonte nga penalltia në pjesën e parë, pas golit që e shënoi Andreas Hanche-Olsen për Mainzin në minutën e 15-të.
Karim Onisiwo më pas shënoi golin e dytë për Mainzin në minutën e 24-t. Mysafirët patën të tjera mundësi shënimi dhe i shkaktuan shumë telashe mbrojtjes jo të organizuar mirë të Dortmundit.
Raphael Guerreiro ngushtoi rezultatin në 2:1 për Dortmundin në minutën e 69-të, kurse goli i Niklas Sules në minutën e gjashtë të shtesës, ishte shumë i vonshëm për “verdhezinjtë”.
Rani Khedira shënoi për fitoren e Union Berlinit ndaj Werder Bremenit, 1:0. Kjo fitore ia siguroi Berlinit garat elitare të UEFA-s.
Union Berlini përfundoi në vendin e katërt, para Freiburgut që u mposht 2:1 tek Eintracht Frankfurti.
Schalke është larguar nga liga pas disfatës 4:2 te Leipzigu, ndërsa Stuttgarti do të luajë në plejaut kundër skuadrës që përfundon në vendin e tretë në rangun e dytë të futbollit gjerman. Stuttgarti barazoi me Hoffenheimin, 1:1.
Bochumi siguroi qëndrimin në ligë pas fitores 3:0 ndaj Bayer Leverkusenit që mbeti me dhjetë lojtarë.
Borussia Moenchengladbachu mposhti Augsburgun 2:0 në ndeshjen e fundit të Lars Stindlit për ekipin. Hertha Berlini tashmë e larguar nga liga, fitoi 2:1 në udhëtim te Wolfsburgu.