Përderisa klubet e mëdha evropiane, si Manchester City, Barcelona dhe Napoli i kanë dhënë fund çështjes së fituesit të ligave të tyre përkatëse, në Bundesligën gjermane ende asgjë nuk dihet.
Kjo do të vendoset në xhiron e 34-t, që luhet të shtunën, me ndeshjet që do të startojnë në orën 15:30.
Dortmundi është lider me 70 pikë, dy më shumë se Bayern Munichu.
Bayerni është në kërkim të titullit të 11-të rresht në Bundesligë, kurse Dortmundi synon ta ndalë dominimin e bavarezëve.
Dortmundi ballafaqohet me Mainzin, kurse Bayern Munichu udhëton te skuadra e Koelnit.
Bayerni ka qenë dominues në këtë kampionat, duke shënuar 90 gola dhe pranuar 37 sish.
Por e humbi epitetin e liderit në xhiron e kaluar, kur u mposht në shtëpi nga Leipzigu, kurse Dortmundi një ditë më pas regjistroi fitore 3:0 në udhëtim tek Augsburgu.
Te Bayerni gjërat nuk kanë shkuar mirë sa i përket udhëheqësit të ekipit. Julian Nagelsmann u shkarkua më 24 mars, për t’u zëvendësuar nga Thomas Tuchel. Tuchel fitoi më 1 prill pikërisht ndaj Dortmundit, por më pas barazoi me Hoffenheimin dhe u mposht nga Mainzi. U eliminua edhe nga Liga e Kampionëve dhe Kupa e Gjermanisë.
Dortmundi nëse fiton kundër Mainzit do ta fitonte Bundesligën për herën e parë që nga viti 2012. Edhe barazimi do të ishte i mjaftueshëm për Dortmundin, nëse Bayerni nuk fiton te Koelni.
Në rast se skuadrat përfundojnë me pikë të njëjta, Bayerni ka goldallim më të mirë dhe do ta fitonte epitetin e më të mirit sërish.
Në ndeshjen e parë të këtij sezoni, Bayerni barazoi me Koelnin, kurse Dortmundi fitoi në udhëtim te Mainzi, 2:1.
Në garën për të zënë vend në “Champions” janë Union Berlini dhe Freiburgu.
Unioni i katërti dhe Freiburgu i pesti kanë nga 59 pikë.
Në vendin e gjashtë që dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës, aktualisht është Bayer Leverkuseni me 50 pikë, një më shumë se Wolfsburgu, dhe tri më shumë se Eintracht Frankfurti.
Edhe gara për të mbetur në elitë është e fortë.
Hoffenheimi në pozitën e 13-të ka 35 pikë.
Augsburgu në vendin e 14-të ka 34 pikë, ndërsa nga 32 pikë i kanë Stuttgarti e Bochumi, që është në vendin e 16-të, zonën e plejautit.
Edhe Schalke në vendin e parafundit ka gjasa ta sigurojë vendin e plejautit, pasi ka 31 pikë.