Sport

Pavarësisht ndalesës së transferimeve, Paqarada i bashkohet Koelnit

 

Mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paqarada, do t’i bashkohet Koelnit, pavarësisht se ekipi i Bundesligës i ka të ndaluara transferimet. Paqarada, i cili te Koelni do të jetë pasardhës i Jonas Hectorit”, ka konfirmuar tashmë transferimin e tij në ekipin e ri. Ai nëpërmjet një postimi në Instagram falënderoi një kompani që i ndihmoi për t’u zhvendosur nga Hamburgu në Koeln për ta vazhduar karrierën, duke e quajtur atë si “lëvizjen perfekte”. Rrugën për t’u bashkuar me skuadrën e Koelnit, Paqarada po e bën nga ekipi i Bundesligës 2, St. Pauli, ku e mban shiritin e kapitenit. E për Paqaradën, drejtori i St. Paulit, Christian Keller pa hezitim e quan “mbrojtësi më i mirë i majtë në Bundesligën 2”. Megjithatë, para se të largohet nga St. Pauli, Paqarada do ta bartë shiritin e kapitenit në ndeshjen e fundit kundër Karlsruherit, e cila zhvillohet të dielën dhe e mbyll edicionin në kategorinë e dytë gjermane. Me konfirmimin e Paqaradës si transferim falas, pasi i skadon kontrata me St. Paulin në fund të muajit të ardhshëm, Koelni e konfirmoi edhe largimin e kapitenit Jonas, të cilin do ta zëvendësojë futbollisti kosovar. Megjithatë, pas prezantimit të Paqaradës që firmosi kontratë deri në vitin 2026, Koelnit në fund të muajit mars iu ndaluan transferimet nga FIFA. Bazuar në këtë ndalesë, Koelni nuk mund të regjistrojë asnjë lojtarë të ri në dy afatet e ardhshme kalimtare dhe për momentin Paqarada është vetëm transferim i përkohshëm për këtë afat kalimtar. Kështu që, nëse vendimi i FIFA-s nuk shfuqizohet nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), atëherë marrëveshja e Paqaradës do të shfuqizohet dhe nuk do të jetë e vlefshme. Koleni ka pesë javë që është ankuar në CAS dhe është në pritje të një vendimi përfundimtar, i cili ende nuk ka ardhur. Megjithatë, në klub po shpresojnë që deri në marrjen e vendimit, Koelnit do t’i pezullohet ndalesa përkohësisht.

“Kërkesa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të kontestuar është duke u proceduar. Palët e tjera të përfshira në procedurë duhet t'i paraqesin me shkrim pikëpamjet e tyre. Më pas merret vendimi”, ka thënë së fundmi një zëdhënës i CAS-it. “Ende nuk mund të themi një datë të caktuar se kur do të merret vendimi”.