Skuadra e Romës mund të jetë pa njërin prej lojtarëve kryesorë në finalen e Ligës së Evropës kundër Sevilas.
Mediumet italiane kanë raportuar të martën se sulmuesi Paulo Dybala vështirë se do të rikuperohet në kohë nga lëndimi i muskulit, të cilin e pësoi në fund të muajit të shkuar. Ai u dëmtua në ndeshjen kampionale kundër Atalandës më 24 prill dhe që nga ajo kohë nuk ka qenë titullar te Roma në asnjë ndeshje tjetër. 29-vjeçari iu bashkua Romës verën e shkuar si lojtar i lirë, ndërsa këtë edicion ka shënuar 16 gola dhe ka asistuar 8 herë në të gjitha garat deri më tani.
Krahas Dybalas, Roma mund të jetë edhe pa mesfushorin Georginio Wijnaldum, që ende nuk është gati fizikisht për të luajtur. Finalja e Ligës së Evropës do të luhet më 31 maj në stadiumin “Puskas Arena” në Budapest të Hungarisë, prej orës 21:00.