Ballkani e ka fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll për herë të dytë radhazi.
Skuadra suharekase mposhti në shtëpi të shtunën Ferizajn 2:0, dhe falë humbjes së Dritës, ka siguruar edhe matematikisht vendin e parë, një xhiro pa përfunduar sezoni.
Edvin Kuq në minutën e 65-të dhe Meriton Korenica në minutën e 76-të shënuan për fitoren e skuadrës së trajnerit Ilir Daja, i cili poashtu arriti dy trofe të Superligës.
Ballkani vitin e kaluar u shpall kampion për herë të parë në histori. Madje, arriti të shkruante histori në futbollin kosovar, duke u kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Ballkani do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Në vendin e dytë si nënkampione përfundoi Drita. Vendin e tretë e siguroi Gjilani.
Ndërkohë, Drenica do të luajë në Ligën e Parë sezonin e ardhshëm. Trepça ’89 në vendin e nëntë dhe Ferizaj në vendin e tetë do të përcaktojnë në xhiron se fundit se cila skuadër do të bie e cila do të luajë në plejut.
