Sport

Besa synon titullin e dhjetë rresht, Trepça të parin pas 22 vjetësh

Pasi mbeti pa Kupën e Kosovës në Hendboll, Besa Famgas synon ta vazhdojë dominimin në Superligën e Kosovës. Besa e Pejës ka fituar titullin e kampionit në nëntë edicionet e kaluara. Në edicionin aktual të Superligës nuk ka humbje, por u mposht nga Trepça në finale të Kupës së Kosovës, dy javë më parë.

Pikërisht me Trepçën, Besa takohet në finale të plejofit. Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Kampione shpallet skuadra që shënon dy fitore, apo që ka një fitore e një barazim në dy ndeshjet e para. Ndeshja e tretë eventuale luhet në Pejë.

Te Besa janë të vendosur të kompensojnë dështimin në Kupë me titull të kampionit.

“Na pret një seri finale e vështirë pasi përballemi me Trepçën, ekipin që javë më parë na mposhti në finalen e Kupës. Sigurisht, pres ndeshje të forta dhe jemi të gatshëm për të dëshmuar veten si ekipi numër një në Kosovë. Nëse luajmë mirë dhe tregohemi efikas, besoj se në duelin e parë do të fitojmë”, ka thënë trajneri i Besës, Nikola Prce. Ai vazhdon të luajë për ekipin pejan.

“Në finale të Kupës i bëmë disa gabime që na kushtuan me humbje. Por këtë herë pres të mos bëjmë gabime të tilla dhe të kompensojmë humbjen në Kupë me titull të kampionit”, ka shtuar Prce.

Në gjysmëfinale të plejofit, Besa e kaloi Vushtrrinë me dy fitore të thella e të lehta. Ndërkohë Trepça në dy ndeshje interesante ishte më e mirë se Prishtina.

Edicionin e rregullt Trepça e ka përfunduar në pozitën e dytë. Trepça titullin e fundit e ka fituar në vitin e largët, 2001. Ndërkohë ka luajtur së fundi në finale gjashtë vjet më parë.

Suksesi në garën për Kupë e ka motivuar skuadrën mitrovicase.

“Finalet gjithmonë i vlerësoj të barabarta. Besa e ka përparësinë e terrenit dhe për këtë i dha një përparësi të lehtë. Ne shkojmë për një rezultat pozitiv, fitore apo barazim. Kemi dëshmuar se mund ta mposhtim Besën dhe që nuk është ekip i pamposhtur”, ka thënë trajneri i Trepçës, Taib Kabashi.

“E kemi mundur Besa Famgasin në finale të Kupës dhe sigurisht se ky është motiv shtesë për ta synuar suksesin edhe në kampionat. Do të dalim në terren për të treguar lojë të mirë, të angazhohemi maksimalisht. Çdo rezultat pozitiv do të jetë i mirëseardhur për ne para ndeshjes së dytë që e luajmë në Mitrovicë”, ka shtuar Kabashi.

Besa për shumë edicione ishte e pakonkurrencë. Por këtë edicion vlerësohet se ka cilësi më të përafërt me skuadrat e tjera, sidomos me Trepçën.