Sport

Bayerni ka ndeshje të vështirë me Leipzigun

Deri në fund të edicionit në Bundesligë kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar, por që në fundjavë Bayern Munichu do të përballet me rrezikun kryesor për titullin e kampionit.

Bayerni të shtunën në orën 18:30 e pret skuadrën e Leipzigut në kuadër të xhiros së 33-të.

Bavarezët janë në pozitën e parë në tabelë me 68 pikë, një më shumë se Dortmundi i vendit të dytë.

Skuadra nga Munichu e di mirë se dy fitore në dy ndeshjet e fundit do t’ia siguronin titullin e 11-të rresht.

Dortmundi nga ana tjetër luan në udhëtim të vështirë tek Augsburgu. Augsburg – Dortmund, zhvillohet të dielën në orën 17:30.

Bayerni ndaj Leizpigut i ka fituar shtatë nga tetë ndeshjet e fundit.

Leipzigu që për herë të parë në Bundesligë u inkuadrua në edicionin 2016-2017, është kthyer në skuadrën e tretë më të fortë në Gjermani aktualisht.

Në edicionin 2019-2020 ishte në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa është fitues në fuqi i Kupës së Gjermanisë.

Leipzigu për momentin zë pozitën e tretë me 60 pikë, një më shumë se Union Berlini i vendit të katërt.

Me fitore në Munich, Leipzigu do ta siguronte vendin që dërgon në “Champions” edicionin tjetër.

Trajneri i Leipzigut, Marco Rose, i cili ishte trajner i Dortmundit në edicionin 2021-2022, ka thënë se është i fokusuar vetëm te skuadra e tij.

Titulli në Gjermani mund të vendoset që në këtë vikend, nëse Bayerni fiton dhe Dortmundi lëshon pikë të dielën.

Dortmundi nuk do ta ketë të lehtë kundër Augsburgut të Mërgim Berishës e Elvis Rexhbeçajt, që në shtator e kishin mposhtur në shtëpi Bayern Munichun.

Enrico Maassen, trajneri i Augsburgut, ka kaluar disa vjet si trajner i juniorëve të Dortmundit. Ai ka thënë për “Bildin” se do të dëshironte që “shtëpia e vjetër” dëshiron shumë të shpallet kampion.

Ndërkohë, presidenti i Bayernit, Herbert Hainer, i ka premtuar Augsburgut një kamion të mbushur me birra, nëse arrijnë që ta ndalin Dortmundin.