Sport

Gjyqtarët e xhudos nën presion pas gabimeve në Botëror, Distria prej viktimave të mëdha të tyre

Një gabim i gjyqtarëve kryesorë të xhudos i ka kushtuar me medalje botërore Distria Krasniqit. Por Distria nuk ishte xhudistja e vetme e dëmtuar gjatë Kampionatit Botëror që u mbajt në Doha të Katarit javën e kaluar. Dhe me gjasë pozita e drejtuesve të gjyqtarëve të xhudos më nuk është komode në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF).

Të mërkurën, si asnjëherë më parë, Komisioni i Gjyqtarëve të IJF-së doli me një komunikatë. Përmes komunikatës u pranua gabimi i rëndë i gjyqtarëve në finalen e kategorisë mbi 100 kilogramë. Kryegjyqtarët pranuan se Inal Tasoev është dashur të fitonte ndaj legjendës Teddy Riner. Por Tasoevit nuk i është dhënë pikë për një kundërsulm dhe më pas Riner shënoi fitore.

“Ishte një situatë ku as gjyqtari në tatami e as komisioni i gjyqtarëve të IJF-së nuk dhanë pikë. Sulmi i Rinerit u bllokua dhe Tasoev realizoi kundërsulm. Vendimi ishte që të vazhdonte lufta, pa dhënë pikë për kundërsulmin. Pas garës, duke marrë parasysh rregullat aktuale të referimit dhe mendimin e ekspertëve të xhudos, konstatojmë se mund të jepej pikë për kundërsulmin e Tasoevit. Komisioni i arbitrave i IJF-së kërkon falje për vendimin dhe njofton se ky aksion do të pikëzohet në të ardhmen, duke iu përmbajtur rregullave aktuale të xhudos”, thuhet në komunikatë.

Fakti se komisioni i drejtuar nga rumuni Florin Daniel Lascau është detyruar të kërkonte falje publike, vlerësohet se mund të jetë dëshmi që IJF-ja më nuk qëndron fuqishëm prapa arbitrave, edhe kur ata gabojnë. Vlerësohet se ka pasur gabime të shumta së fundi, disa në llogari të xhudistëve të Kosovës.

Ndonëse nuk është përmendur në komunikatë, rast i rëndë ishte edhe ai ndaj Distria Krasniqit.

Në luftë për medalje të bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë, Distria përballë e kishte italianen Odette Giuffrida. Lufta zgjati mbi 12 minuta, ndërsa në fund fitoi italiania.

Por më herët në luftë Distria realizoi hedhje për uazari. Gjyqtari në arenë dha uazari, që nënkuptonte medalje për xhudisten kosovare. Por ndërkohë komisioni i gjyqtarëve, që drejtohet nga Daniel Lascau, ndryshoi vendimin, pas rishikimit të situatës. Nuk dha pika dhe lufta vazhdoi.

Kjo bëri që trajneri i Kosovës, Driton Kuka, të revoltohet. Ai ka insistuar se hedhja ishte për uazari të pastër. Por, vendimi mbeti në fuqi dhe medalja i takoi Giuffridas.

Me gjasë ka pasur gabime tjera në Botëror dhe një i rëndë ndoshta në luftën më të përcjellë të Botërorit, atë të superyllit Riner. Presioni ndaj kryegjyqtarëve është rritur dhe ata janë detyruar të kërkonin falje publike. Kjo krijon situatë të re në xhudon e nivelit superior.

Trajneri Kuka ka paralajmëruar reagim për padrejtësinë ndaj Distrisë.

“Ende nuk po mund ta shoh atë moment që na e mohoi medaljen”, ka shkruar Driton Kuka disa ditë pas Botërorit.

Ekipi i Kosovës në xhudo i është kthyer punës për garat e ardhshme. Por, pa e harruar padrejtësinë që i është bërë në ngjarjen kryesore të vitit.