Sport

Spurs do ta marrë basketbollistin me perspektivën më të madhe që nga LeBroni

San Antonio Spurs janë fitues të mëdhenj të draftit të NBA që u mbajt të mërkurën pas mesnate dhe kanë një të ardhme të ndritur me basketbollistin francez Victor Wembanyama (19 vjeç).

Spurs dolën të parët në shortin e sivjetshëm të draftit dhe fituan të drejtën e zgjedhjes së parë, e cila me siguri do të jetë qendra e mrekullueshme 220 centimetra e gjatë, e shkëlqyer nën kosh, por edhe tejet kreative, Wembanyama. Zgjedhja nga drafti do të bëhet më 22 qershor.

Pikërisht për shkak të Wembanyamas drafti i këtij viti është më i prituri që nga ai i vitit 2003, kur Cleveland zgjodhi të parin, gjimnazistin me emrin LeBron James. 19-vjeçari është basketbollisti që është vlerësuar me perspektivën më të madhe që nga LeBron James. 

Wembanyama është basketbollist i skuadrës franceze Boulogne-Levallois Metropolitans. Është koshashënuesi më i mirë (21.8 pikë), kërcime më së shumti (10.3) dhe bllokuesi më i mirë (3.0) i ligës franceze dhe u prezantua në SHBA me lojëra të shkëlqyera në Las Vegas.

Rendi i përzgjedhjes në draft u vendos nga shorti, i cili u ndoq me emocion të veçantë në Detroit. Houston Rockets dhe San Antonio fituan avantazhin sepse e mbyllën sezonin me rekordin më të dobët.

Në garë ishin 14 skuadra që nuk arritën në plejof. Katër klube u përfshin në short për të zgjedhur nga katër pozicionet e para (San Antonio, Charlotte, Portland dhe Houston).

Ekipet e tjera vijojnë sipas rekordit të këtij sezoni.

San Antonio dhe Gregg Popovich ishin sërish me fat në zgjedhjen e super talenteve të qendrës. Më herët ishin të parët që zgjodhën legjendarët David Robinson dhe Tim Duncan.