Transferimi i parë i Pep Guardiolës si trajner i Manchester Cityt po del të jetë një nga më të mirët e tij. I besueshëm, i gjithanshëm dhe i dobishëm për ekipin, Ilkay Guendogan është ndoshta lojtari që mishëron më së miri epokën e mbushur me trofe të Guardiolas te City, qëkur ata iu bashkuan klubit në vitin 2016.
Dhe këtë edicion rëndësia e mesfushorit të Gjermanisë për Cityn është rritur si gjasat e skuadrës për një tjetër titull në Premier Leagues. Në fakt City me Guendoganin në formë po kërkon tre trofe. Javën e kaluar Guendogan ka luajtur tri ndeshje të mbushura me presion, në tri pozicione të ndryshme, dhe ka shënuar katër gola.
“Ai mund të bëjë gjithçka”, tha Guardiola për Guendoganin, i cili shënoi dy gola në fitoren e Cityt 3:0 ndaj Evertonit të dielën.
Kundër Evertonit, Guendogani luajti mesfushor sulmues, pak larg Erling Haalandit dhe tregoi aftësitë e tij për të shënuar gola kur ekipi ka nevojë. Pesë ditë më parë ai luajti një rol pak më të tërhequr, më pranë mesfushorit Rodri, kur City barazoi 1:1 me Real Madridin në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Dhe tri ditë para duelit me Realin, Guendogani kishte zëvendësuar Rodrin për të luajtur si mesfushor defensiv në fitoren 2:1 të Cityt ndaj Leedsit në Premier League.
“Ai tregon përsëri, përsëri dhe përsëri cilësinë dhe rëndësinë që ka”, tha Guardiola.
Javët e ardhshme do të tregojnë se sa i përkushtuar është City ndaj Guendoganit. Kontrata e mesfushorit 32-vjeçar skadon në fund të këtij edicioni dhe ai ka qenë i lidhur me një lëvizje te Barcelona. Guardiola dëshiron që Guendogani të mbetet në klub edhe përtej këtij edicioni.
“Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ndoshta ai qëndron. Shpresojmë”, tha Guardiola.
Mirëpo mosha e lojtarit mund të jetë një problem, me raportet që sugjerojnë se ai dëshiron një marrëveshje dyvjeçare dhe City dëshiron t'i japë atij vetëm një kontratë 12-mujore. Me pasigurinë për të ardhmen e një tjetër mesfushori kyç, Bernardo Silvas, Guardiola përballet me perspektivën alarmante për të humbur dy nga lojtarët e tij më me ndikim të këtij edicioni. Të dy lojtarët janë shumë të rëndësishëm për lojën e Cityt me presion të madh dhe qasje sulmuese. Guendogan, në veçanti, është njeriu që mund t’i kryejë të gjitha punët e Guardiolas në fushë.
Pasi iu bashkua Cityt nga Borussia Dortmundi, ai i kaloi katër edicionet e para si rezervist, kryesisht për një mesfushë të përbërë nga Fernandinho, Kevin de Bruyne dhe David Silva. Ai u shfaq veçanërisht në edicionin 2018/19, kur luajti në vend të Fernandinhos së dëmtuar, ndërsa City përballoi Liverpoolin për të fituar titullin e dytë nën drejtimin e Guardiolës. Megjithatë, në edicionin 2020/21, kur City luajti kryesisht pa sulmues tipik, Guendogan shpesh u vendos si nëntëshe false dhe pati një formë fantastike nga dhjetori deri në shkurt . Shënoi 11 gola në 12 ndeshje për ta vendosur skuadrën në rrugën e duhur për titullin e tretë të Premier Leagues.
Edicionin e kaluar ai shënoi dy golat në fund të ndeshjes kundër Aston Villas në xhiron e fundit për të siguruar që City të fitonte sërish garën me Liverpoolin për titull. Dhe këtë edicion ai ka marrë shiritin e kapitenit dhe një rol më të madh në ekip.
“Ai nuk flet shumë, por kur flet të gjithë dëgjojnë. Kjo është fuqia e një lideri. Ai tregon lidership në çdo seancë stërvitore. Po ashtu mund të luajë në çdo pozitë në fushë dhe këtë tashmë e ka dëshmuar.
Ai është një djalë që e përballon shumë mirë presionin”, insistoi Guardiola.
Me nënshkrimin e Guendoganit gati shtatë vjet më parë, City u mburr se solli “një mesfushor inteligjent dhe të gjithanshëm, i cili mund të operojë në një sërë rolesh të ndryshme”.
Deri më tani Guendogani i ka përmbushur të gjitha pritshmëritë e klubit anglez.