Në garë për titull të Gjermanisë, Borussia Dortmundit i duhet ndihma e rivalit, Schalkes, që do të luajë në udhëtim te Bayern Munichu.
Ndeshja Bayern Munich – Schalke luhet të shtunën nga ora 15:30 dhe i takon xhiros së 32-të. Bundesliga i ka gjithsej 34 xhiro.
Ky ballafaqim zhvillohet disa orë para se Dortmundi e Moenchengladbach të takohen nga ora 18:30.
Kampioni i shumëfishtë i Gjermanisë, Bayerni, ka 65 pikë në pozitën e parë, një më shumë se Dortmundi i vendit të dytë.
Bayerni më pas takohet me Leipzigun dhe e mbyll kampionatin në udhëtim te Koelni. Dortmundi udhëton tek Augsburgu në xhiron e parafundit, kurse në takimin e fundit e pret Mainzin.
Rivaliteti mes Dortmundit e Schalkes është shumë i madh, ndoshta më i madhi në elitën e futbollit të Gjermanisë.
Dhe për këtë arsye Schalke mund të jetë skuadra e fundit në Gjermani që do t’i bënte favor Dortmundit.
Por Schalke zë pozitën e 15-të me 30 pikë, vetëm dy më shumë se Stuttgarti që është në pozitën që dërgon në plejaut dhe Bochumi që është i parafundit në tabelë.
Prandaj pikët janë me shumë peshë për Schalken.
I pari i qytetit të Dortmundit, Thomas Westphal, këtë javë ka thënë se do ta ftonte ekipin e Schalkes për t’u nënshkruar në “Librin e Artë”, në të cilin shënohen vetëm ngjarjet e veçanta.
Trajneri i Schalkes, Thomas Reis, ka thënë se nga Dortmundi duhet të vijnë ide të tjera.
Schalke i ka humbur 11 ndeshjet e fundit kundër Bayernit.
Herën e fundit kur Schalke mposhti Bayernin ishte në vitin 2011.
Megjithatë, Schalke i ka fituar tri nga katër ndeshjet e fundit për të dalë në zonën e mbijetesës për herë të parë që prej muajit shtator.
Trajneri i Dortmundit, Edin Terziq, që u rrit si tifoz i skuadrës së verdhë, nuk ka folur për situatën e Schalkes.
Ai ka thënë se Dortmundi duhet t’i fitojë tri ndeshjet e mbetura.
Bavarezët kanë fituar për herë të parë dy ndeshje rresht me Thomas Tuchelin në krye të skuadrës. Ai e di se edhe tri fitore të tjera do t’ia sigurojnë Bayernit titullin e 11-të rresht, pavarësisht rezultateve të Dortmundit.